Bursat kanë vazhduar rënien në sesionin tregtar të ditës së Enjte për të dytën ditë radhazi, ndërkohë që investitorët kanë shitur zotërimet në aksione për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e shpejtë të normave të interesit, ngadalësimit ekonomik global dhe fryrjes së aktiveve kryesisht në teknologji.

Indeksi Dow Jones ra me 545.9 pikë, duke e çuar rënien 2-ditore në mbi 1,300 pikë.

Standard & Poor’s 500 ra me 2.1% dhe ka treguar rënien për të 6 ditë radhazi. Indeksi me 500 aksione u mbyll poshtë mesatares lëvizëse 200 ditore për të parën herë që prej muajit Prill.

Nasdaq, ra me 1.3% dhe hyri përkohësisht në territor të korrigjimit. Pak mbështetje në bursa dha raportimi se Presidenti Donald Trump do të takohet me homologun kinez Xi Jinping në samitin e radhës të g-20-ës, duke shtuar shpresat e negociatave për të shmangur luftën tregtare.

Tetori, muaj që ka fituar reputacion për shitjet në tregje, është treguar i ashpër për investitorët deri më tani. Sektori financiar ishte performuesi i dytë më i keq i Standard & Poor’s pas teknologjisë, duke rënë me 3%.

JP Morgan ra me 3%, Citi me 2.2% ndërsa Wells Fargo me 1.9%. Interesat e borxhit amerikan, që ishin shkaku i rënies në bursa, u tërhoqën nga nivelet rekord. Yield-i 10-vjeçar ra në 3.13%, ndërsa ai 2 –vjeçar, në 2.84%.