shtyllaetensionit-telarte

TIRANE-Pranvera Tatgjonaj, një 14-vjeçare nga Shkodra, po luante me bashkëmoshatarët e saj, kur papritmas largohet për të marrë bagëtinë, por për fat të keq, vajza nuk u kthye më e gjallë për ta rinisur lojën. Aksidentalisht, e mitura ra në kontakt me një kabllo të tensionit të lartë 6 mijë volt, që ishte këputur në zonë, dhe gjeti vdekjen. Viti i ri shkollor, nisi me një minutë heshtje për Tatgjonajn, e cila nuk mundi të ulej në bankën e saj si çdo vit. Nuk kanë kaluar në fakt shumë muaj, prej ditës së trishtë kur e mitura gjeti vdekjen, dhe për jetën e humbur të saj, prindërit e Pranverës i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës. Bardhe dhe Ndue Tatgjonaj kanë paditur në gjykatë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (ish-”CEZ Shpërndarje” sha) dhe kërkojnë nga ndërmarrja, t’i dëmshpërblejë për dëmin pasuror dhe moral, pasi e cilësojnë si shkaktare të vdekjes së vajzës së tyre të mitur.

Kërkesa për dëmshpërblim
Dy bashkëshortët Bardhe dhe Ndue Tatgjonaj, kanë trokitur në dyert e gjykatës, për të kërkuar “jetën” e humbur të së bijës, e cila mbase sot mund të ishte gjallë, nëse këmbët e saj nuk do të hasnin në një kabllo të tensionit të lartë dhe t’i merrnin jetën.

Burrë e grua, përmes një padie civile që mban nr.15918, kërkojnë nga OSSHEE, “për të shpërblyer dëmin e plotë pasuror dhe jopasuror të trashëgimtarëve të së ndjerës Pranvera Tatgjonaj, së cilës iu shkaktua vdekja nga shkelja e rregullave të sigurimit teknik dhe shfrytëzimit teknik, që përbëjnë edhe shkakun e vdekjes nga punonjësit e ish-‘CEZ Shpërndarjes’ sha”. Padia është hedhur në short dhe do të shqyrtohet nga gjykatësi Astrit Faqolli, i cili, pasi të administrojë provat dhe të dëgjojë pretendimet e palëve, do të vendosë nëse OSSHEE, duhet ose jo ta dëmshpërblejë familjen e së miturës. Dy prindërit e së miturës, të cilët kërkojnë drejtësi, duhet të provojnë në gjykatë, që është realisht, shkelja e rregullave nga punonjësit e ndërmarrjes që shkaktoi vdekjen e Pranverës.