Abazi
Prej çështjeve të rëndësishme dhe më e përfolura në këto ditë është ajo e unitetit islam. Uniteti dëshmohet në ligjin islam dhe i ka rrënjët në këtë ligj. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu ua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.’’ (Sure ‘’Ali Imran’’, ajeti 103.)
Ajeti i bekuar flet qartë për unitetin dhe zhdukjen e mosmarrëveshjeve mes myslimanëve. Ai i fton të gjithë myslimanët pa dallim race, ngjyre, kombi dhe gjuhe, që të kapen pas litarit të Allahut. E litari i Allahut është Islami Libri i Tij. Moszbatimi i këtij urdhri çon në përçarje dhe dalëngadalë në shkatërrim. Allahu i Plotfuqishëm na ka mirësuar me Islamin, i cili na bashkon të gjithëve, edhe pse ndryshojmë në gjuhë, në kombe dhe ngjyrë. Me ardhjen e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), Allahu i udhëzoi njerëzit në rrugën e drejtë dhe i nxori ata nga errësirat në dritë – në dritën e Islamit, që është feja e humanizmit, e mëshirës dhe e paqes.
Në Kur’anin e Shenjtë ka shumë ajete që flasin për unitetin dhe që i qortojnë përçarjen dhe mosmarrëveshjet. Ja disa nga këto ajete:
“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbisni guximin e do t’ju lërë fuqia! Bëhuni të durueshëm sepse Allahu, me të vërtetë, është me të durimtarët.” (Sure “Enfal”, ajeti 46.)
Dhe: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër. Prandaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (Sure “Huxhurat”, ajeti 10.)
Dhe: “Le të dalë prej jush një grup që të ftojë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 104)
Dhe: “Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 105.)
Dhe: “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Tek Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar.” (Sure “En’am”, ajeti 159.)
Dhe: “Vërtet, ky ymeti juaj (kjo bashkësia juaj) është një i vetëm, ndërsa Unë jam Zoti juaj. Prandaj kini frikë prej Meje!” (Sure “Mu’minun”, ajeti 52.)
Ka edhe shumë hadithe të cilat paralajmërojnë dhe qortojnë përçarjen. Ato na ftojnë t’i shmangim shkaqet që çojnë në përçarje. Ja disa nga këto shkaqe:

HERETIZMI I MYSLIMANIT
Heretizmi është prej faktorëve më të rrezikshëm. Ai është muri pengues i dialogut, që ka si qëllim arritjen tek e vërteta. Ai çon në nxjerrjen nga feja dhe në shkëputjen e vazhdimësisë. Ka hadithe që e ndalojnë këtë veprim. Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nëse një njeri i thotë vëllait të tij ‘O i pafe!’, është njëlloj si ta vrasësh atë.” (El Mexhlisij, Biharul Anuar: vëll. 69, f. 209.)
Bilal Habeshiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka transmetuar se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O Bilal! Thirri njerëzit dhe thuaju: ‘Kush thotë se Zoti është Një e i Vetëm, një vit, një muaj, një javë, një ditë a një orë para se të vdesë, hyn në Xhenet.” (Mutekij Hindit, Kenzul Ummal: vëll. 1, f. 64.)
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Njeriu njihet me atë që rri. Ai që thotë ‘La il-lahe il-lall-llah’, hyn në Xhenet.” (Ali ibn Junus el Amilij, Es Siratul Mustekijm: vëll. 1, f. 199.)
KONFLIKTI MES MYSLIMANËVE
Konflikti është prej veprave që çojnë në shkatërrimin e ymetit e të fesë. Ka shumë hadithe të cilat e ndalojnë konfliktin mes myslimanëve. Në Hytben (fjalimin) e Lamtumirës, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Me të vërtetë, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjtë për ju, njëlloj si shenjtëria e kësaj dite për ju, e këtij muaji dhe e këtij qyteti. Ju do të takoheni me Zotin tuaj dhe do t’ju pyesë për punët tuaja. Mos u ktheni pas meje e të vrisni njëri-tjetrin. Vallë, a e përcolla mesazhin? Sigurisht, i pranishmi të informojë atë që nuk është këtu prej jush.” (Sejjid Muhsin Emijni, A’janu Shia: vëll. 1, f. 290.)
Imam Khomeini ka thënë: “Ajo gjuhë, prej së cilës del mosmarrëveshja, është gjuhë e shejtanit.” Dhe: “Përçarja është prej shejtanit, ndërsa bashkimi është prej Rrahmanit.” Sa letrare dhe domethënëse janë këto thënie të imamit,
Të dashur myslimanë besimtarë! Është detyrë e jona të largohemi nga përçarja, sepse ajo është frymëzim i shejtanit. Nëse përplasemi me njëri-tjetrin, ne nuk fitojmë asgjë. Janë të tjerët që përfitojnë prej situatës tonë konfliktuale. Nëse ndryshojmë në mendim e në veprim, duhet të ulemi e të dialogojmë, t’i vendosim problemet tona mbi tavolinën e dialogut dhe t’i zgjidhim ato me qetësi. Nëse konfliktohemi me njëri-tjetrin, kur unë e quaj aksh njeri të pafe dhe ai më quan të pafe, të gjithë ne do bëhemi të padëshiruar te njerëzit dhe njerëzit do të largohen nga feja. Nëse e kuptojmë mirë rrezikun e përçarjes, çdo mysliman duhet të mbajë përgjegjësinë e mbrojtjes së ymetit dhe të unitetit të tij. Të gjithë duhet të përpiqen që t’i ndalojnë konfliktet dhe mosmarrëveshjet. Të gjithë duhet ta kuptojmë saktë fundin e dhembshëm që sjellin konflikti dhe përçarja si në këtë jetë, ashtu edhe në Jetën Tjetër.
Dhe ymeti islam ka fuqi ta ruajë veten nga çdo gjë e keqe. Fuqia e ymetit mysliman është te bashkimi i bijëve dhe i bijave të tij.
Edhe pse myslimanët janë të ndarë në medh’hebe (shkolla) të ndryshme e në sekte të shumta, përsëri, ato që i bashkojnë janë më të shumta se ato që i ndajnë. Pikat bashkuese përbëjnë bazat e fesë së tyre.
Edhe pse situata e unitetit është kritike në këto ditë, ka rrugë që ai të ripërtërihet dhe të forcohet. Disa nga këto janë:
KUR’ANI I SHENJTË
Është për të ardhur keq, se fatkeqësitë dhe problemet e shumta të myslimanëve në këto ditë janë për shkak të lënies pas dore të Kur’anit dhe zbatimit të rregullave të vendosura nga njerëzit. A nuk themi ne se jemi ymeti i profetit Muhamed? A nuk themi ne se ai ishte Kur’ani folës? Sa e ndjekim dhe e zbatojmë synetin e Profetit në drejtim të Kur’anit? Myslimanët duhet të zbatojnë Kur’anin. Kur’ani përmban çdo gjë që ka lidhje me jetën e njerëzve në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Në të gjendet rruga e edukimit, e përsosurisë dhe e vlerave më të larta.
Kur’ani i Shenjtë është burimi bazë i unitetit islam, sepse Kur’ani është Libri i të gjithë myslimanëve. Me ajetet e tij të shumta, ai i fton për unitet dhe për braktisjen e mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve. Është detyrë e myslimanëve që të mos largohen nga Kur’ani dhe të mos e kujtojnë atë vetëm nëpër ceremoni të ndryshme. Ata duhet të jetojnë me Kur’anin. Kur’ani është Libri i jetës dhe sqaruesi i gjithçkaje.
Ne jemi krenarë me Islamin dhe me Kur’anin, të cilët ftojnë jo vetëm për unitetin e myslimanëve, por për unitetin e mbarë njerëzimit, me thirrjen: “Zoti është Një e s’ka tjetër dhe Muhamedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij.”

PERSONALITETI I PROFETIT MUHAMED
(paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

Profeti Muhamed, vula e profetëve është personaliteti që i bashkon myslimanët. Të gjithë myslimanët janë të një mendimi se ai është udhëheqësi i parë i tyre. Ai është modeli më i plotë dhe shembulli i përkryer. Ai ftoi që myslimanët të jenë gjithmonë një dorë e vetme dhe e përbashkët kundër armiqve të tyre.
Profeti dëshironte që mbarë njerëzia të jetonte nën hijen e unitetit e të bashkimit. Thirrja e Profetit është mësim për ne, që të zhdukim përgjithmonë mosmarrëveshjet mes nesh. A ka më të mirë sesa mbjellja e farës së unitetit dhe të bashkimit në zemrat e brezave të rinj të myslimanëve?
A ka gjë më të keqe sesa rritja dhe edukimi i brezave me frymën e përçarjes dhe të armiqësisë për njëri-tjetrin? A e pyesim ndonjëherë veten se çfarë fitojmë nga përçarja? Vallë, Kur’anin dhe Profetin, Allahu i dërgoi për bashkim a për përçarje?!
HAXHI
Haxhi është vendi dhe koha ku shihet e praktikohet të jetuarit në unitet. Haxhi është vendi dhe koha, ku duket madhështia materiale dhe shpirtërore e myslimanëve dhe fuqia e myslimanëve. Haxhi është si Kur’ani. Nga haxhi përfitojnë të gjithë.
Haxhi është detyrë, që ka caktuar Allahu. Ai ka përmasa të mëdha bashkuese dhe unifikuese. Ai është kongresi i madh i myslimanëve për të katër anët e botës. Asnjë shtet në botë nuk ka mundësi që të organizojë një tubim kaq madhështor. Myslimanët edhe pse mund të ndryshojnë në mendime, i bashkon një Kible dhe një Shtëpi (Qabja), adhurimi i Allahut të Vetëm e të Pashoq dhe pasimi i synetit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Është detyrë e myslimanëve që të përfitojnë sa më shumë dhe të forcojnë sa më shumë rreshtat e unitetit pas mbarimit të haxhit. Një ndër detyrat e këtij tubimi madhështor, është thirrja për bashkim dhe zhdukja e mosmarrëveshjeve mes myslimanëve.
Është detyrë e dijetarëve që të futen sa më thellë në detin e njohjes së dhembjeve të ymetit islam dhe të përpiqen që t’i largojnë këto dhembje prej tij. Përderisa ata janë trashëgimtarët e profetëve në udhëzimin e njerëzve, duhet të jenë të pajisur me margaritarët e urtësisë dhe të udhërrëfimit, me qëllim që njerëzit të dallojnë nëpërmjet tyre rrugën e drejtë e të vërtetë.
Është detyrë e oratorëve dhe e autorëve të librave që të ndihmojnë në forcimin e unitetit dhe të vëllazërisë islame, që fjala e Allahut të jetë më e larta dhe ajo e shejtanit të jetë më e ulëta.
Do të donim t’i mbyllnim këta rreshta me thënien e Allahut të Madhëruar, në Kur’anin e Shenjtë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja! Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit! Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Sure “Nisa”, ajeti 59.)