Shitjet e makinave në Europë ranë për të 7-in muaj radhazi gjatë Marsit, ndërkohë që shumë shtete patën rënie të kërkesës prej ngadalësimit ekonomik, duke shtuar shqetësimet mbi industrinë që po përpiqet të konvertohet në elektrike. Megjithatë, aksionet e sektorit të makinave në Europë patën rritje, që erdhi kryesisht nga rimëkëmbja e ekonomisë kineze. Volkswagen, që shet mbi 40% të automjeteve në Kinë, pati rritje në vlerë tregu me 1.6%. Rimëkëmbja e ekonomisë kineze mund të ofrojë një vrull për tregun botëror të makinave.

Europa ndërkohë, po tregon pak shenja të një rimëkëmbjeje. Italia, që ndodhet në recesion, pritet të ngadalësohet më tej. Gjermania, që përbën tregun më të madh të makinave në kontinent, mezi shmangu recesionin në fund të 2018-ës. Regjistrimet e makinave të reja ranë me 3.6% në muajin Mars, në 1.77 milionë makina në total, sipas të dhënave të Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Makinave. Italia pati rënien më të madhe në tregjet kryesorë, me 10%, ndjekur nga Spanja.

Ngadalësimi i tregut europian shton shqetësimet për prodhuesit e makinave, që janë goditur nga rënia e fitimeve. Kompani si BMW dhe Daimler kanë planifikuar reduktime të kostove. Presionet pritet të shtohen vitin e ardhshëm, ndërkohë që Bashkimi Europian pritet të prezantojë rregulla më të ashpra për ndotjen.