Tom-Doshi-Koco-Kokedhima-e1424967585224

Deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi është tërhequr dje nga deklaratat e bëra në mesditë për një luftë të hapur me kryeministrin Edi Rama. Gazeta “Panorama” shkruan sot se zbutja e toneve ka ardhur pas drekës

që ka zhvilluar Doshi me “negociatorin” e Kryeministrit Rama, deputetin e PS-së, Koço Kokëdhima.
Duke zbardhur detajet e drekës shkruan se rreth orës 13:20 Doshi është larguar nga salla duke thërritur jashtë ministrin Ilir Beqaj, ndërkohë që Kryeministri Rama ka marrë telefonin në dorë, duke tentuar të lidhej me Koço Kokëdhimën. Ky i fundit nuk iu përgjigj pasi në duar kishte shkresa dhe libra, ndërkohë që Rama i ka kërkuar deputetes Blerina Gjylahmeti që t’i thërrasë Kokëdhimës.Më pas Rama dhe Kokëdhima kanë dalë nga porta e pasme e Kuvendit rreth orës 13:25. Kokëdhima është kthyer në ambientet e Parlamentit rreth orës 14:20 minuta. Ajo që ra në sy ishte fakti se deputeti i PS-së ka zbritur nga makina fuoristradë e ekskortës së Kryeministrit.

Ndërkohë, në ambientet e jashtme, Tom Doshi po diskutonte me deputetin Vexhi Muçmataj. Kokëdhima dhe Doshi u larguan më pas me makinën “Audi” të deputetit të Shkodrës për të drekuar.

Në këtë drekë ka qenë i pranishëm edhe nënkryetari i grupit të PS, Taulant Balla. Pas takimit, deputeti Kokëdhima ka deklaruar se Tom Doshi nuk do të ketë më konflikte brenda mazhorancës.

“Me Tom Doshin kaluam shumë mirë, jemi kolegë. Nuk e kam drekën e parë me të. Ai moment që është prezantuar në publik nga Toma që ai ka pasur disa mërzitje, për një konflikt brenda nesh, nuk do të ndodhë. Jemi të përgjegjshëm. Kemi prioritet interesat e qytetarëve të zgjedhësve tanë. Jemi shqiptarë, jemi ballkanas, kemi gjaknxehtësitë dhe lëndimet tona. Ndonjëherë përlahemi me ndonjë pakënaqësi dhe emocion negativ, por nuk do të ketë probleme. Toma është deputet i PS-së, që ka punuar me pasion për vite me radhë. Është pjesë e jona dhe do punojmë sëbashku me të, me të gjithë deputetët e tjerë për të përballuar sfidat e mëdha për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të mirë, për një ekonomi më të mirë”,- tha Kokëdhima.