Presidenti Ilir Meta njoftoi se mëngjesin e sotëm u takua me Lulzim Bashën.

Meta bëri me dije se është njohur nga kreu i opozitës me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar. Po ashtu Meta ka treguar se dje në mesnatë kishte marrë një mesazh nga ish-kreu i KQZ Kristaq Kume, sa i takon ndryshimeve kushtetuese. Ndër të tjera, Meta ka postuar dhe një pjesë të deklaratës së djeshme të bërë nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Reagimi i Metës

Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshime kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin.
Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik.
Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen europiane të vendit tonë.

Jam i bindur se ka kaq shumë intelektualë dhe qytetarë që ndajnë këtë shqetësim si të Prof.Kumes. Për këtë arsye po e ndaj me të gjithë ju këtë qëndrim tepër të përgjegjshëm dhe bashkëpunues të Opozitës së Bashkuar.

PJESË NGA DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI
Nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit ti parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Çdo diskutim i tillë, sipas Marrëveshjes, NUK mund të vonojë apo pengojë kodifikimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit.