pedonale
Aktorët e Teatrit Kombëtar e kanë thuajse të pamundur të bëjnë prova për të përgatitur shfaqjet e radhës. Muzika “tallava” që buçet në pedonalen e kthyer në “qoftore” nuk i lejon aktorët të përgatiten në skenë. E ngre këtë shqetësim drejtori i TK, Hervin Çuli.

“Është bërë një gjendje e padurueshme. Ne nuk po arrijmë të punojmë më. Mirë për shfaqjet e teatrit që është arritur një marrëveshje për muzikën, e cila ndalon dy orë, megjithëse nuk më ka rezultuar që ndalon gjithmonë, duke llogaritur edhe erën e salsiçeve dhe qofteve që shoqëron gjithmonë njerëzit sa herë shohin shfaqjet. E treta gjë që është skandaloze dhe e papanueshmë është që ne bëjmë prova paradite e pasdite dhe nuk arrijmë dot të komunikojmë me njëri – tjetrin, nuk po arrijmë të bëjmë punën tonë. Duam të punojmë dhe nuk mundemi. Aktorët nuk po përqendrohen dot, janë të shkatërruar”.

Shpërthimi i Çulit vjen në një intervistë për gazetën Panorama. Ai është intervistuar gjatë kohës që në zyrën e tij qëndrojnë edhe aktorë të teatrit. Drejtori i TK thotë se këtë shqetësim ia ka shfaqur edhe kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt, por nuk ka marrë zgjidhje.

“Kam komunikuar me kryetarin e Bashkisë dhe me ka dhënë garanci vetëm për pjesën e orareve të shfaqjeve. Për pjesën tjetër kryetari ndoshta në të drejtën e tij më ka thënë që janë kontrata të lidhura me firma përkatëse dhe se janë të mbartura, pork y nuk është problemi im. Problemi im është që unë dua të punoj dhe të siguroj punën në institucionin tim. Kam një presion shumë të madh që e ndiej përditë nga aktorët, nga spektatorët, nga të gjithë që teatri nuk po arrin dot të bëjë punën e vet. Na ka ngelur vetëm t’i bëjmë provat privatisht, në shtëpitë tona. Pë të mos thënë pastaj që teatri është burgosur nga të gjitha anët, nuk ka fasadë. Jemi në kulmin e sezonit dhe situata është kjo”, thotë Çuli.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e kishte premtuar gjatë fushatës elektorale se nuk do të lejonte më që pedonalja të shndërrohej në shitore qoftesh. Kur u pyet disa javë më parë nga ABC News se përse po e lejonte muzikën tallava dhe qoftet pranë teatrit, në mënyrë agresive ai tha se ky televizion ishte i shqetësuar për shkak se u kishte vënë gjobë biznesve. ABC News e paditi në gjykatë për shpifje Erion Veliajn. Por kur kanë kaluar vetëm pak javë nga kjo ngjarje, shqetësimi Veliajt po i vjen drejpërdrejtë nga Teatri Kombëtar dhe drejtori i tij. A do të thotë edhe për Çulin se ka vënë gjoba?