Komuniteti i pensionistëve italianë në Shqipëri po shkon drejt rritjes, shkruan Nicola Pedrazzi i ”Osservatorio Balcani e Caucaso”.

Për të kuptuar këtë fenomen ne intervistuam Roberto Laera, një sipërmarrës, i cili ka dhjetëra vite përvojë në këtë vend.

Ashtu si histori të tjera migrimi, edhe fenomeni i vogël i italianëve në Shqipëri është subjekt i një manipulimi të fortë politik dhe mediatik. Për arsye që ne tashmë i kemi diskutuar, gjatë viteve të kaluara, politika shqiptare dhe media italiane kanë shpërndarë të dhëna jorealiste. Por, kjo nuk nënkupton që prania italiane nuk është rritur ndjeshëm në këtë vend. Të dhënat e fryra dëmtojnë të kuptuarit e realitetit: 2 000 italianët, të cilët aktualisht kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri, nuk janë ”pak” – nëse kështu u duket atyre që besojnë se ata janë 20 000.

Që ta sqarojmë këtë pikë, cilët janë ata bashkëqytetarë të cilët bëjnë një jetë të re përtej Adriatikut? Përveç studentëve të Mjekësisë, të cilët nuk e kanë kaluar testin në Itali, sipërmarrësve të tërhequr nga krahu i lirë i punës, ish-yjeve televizivë, të cilët në të kaluarën u kanë folur italianëve për ”mrekullinë shqiptare” – kujtoj Alessio Vinci në Agon Channel dhe Luciano Moggi te Partizani – sot, një tjetër kategori italianësh zbulojnë një jetë të dytë shqiptare, atë të pensionistëve.

Ne folëm për këtë me Roberto Laera, një sipërmarrës, i cili ka dhjetëra vite përvojë në këtë vend dhe që pak kohë më parë krijoi një shoqatë kushtuar mbështetjes së të ardhurve të rinj, në veçanti të pensionistëve italianë.

Sa pensionistë italianë kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri? Dhe me çfarë vështirësish ata përballen?

Deri tani, numri i pensionistëve italianë nuk e kalon shifrën 300. Pjesa më e madhe nuk jeton në Tiranë, por në Durrës një qytet ku kostoja e jetesës është më e vogël, por mbi të gjitha një qytet bregdetar, me detin dhe me një klimë të butë.

Pjesa më e madhe e pensionistëve nga Italia e Veriut kanë jetuar gjithmonë në klimë të ftohtë dhe kjo risi i tërheq ata. Këta janë njerëz që i dalin zot vetes dhe nuk kanë probleme shëndetësore; sidoqoftë, në Shqipëri ka klinika private që mbulojnë gjithçka me kosto qesharake për ata që kanë të ardhura në euro.

Spitali Amerikan ka edhe urgjencën dhe, duke u siguruar për 180 euro në vit, ju keni të drejtë për të gjitha vizitat, pa asnjë kufizim, dhe një tavan prej 5 000 eurosh në rast shtrimi në spital dhe operacioni.

Vetëm në Tiranë ka tre Spitale Amerikane, një është në Durrës dhe një po hapet në Vlorë duke mbuluar kështu dalëngadalë të gjithë vendin.

Sipas meje, vështirësitë e vetme janë burokracitë të tipit leje-qëndrimi për shembull, që është e detyrueshme për të gjithë të huajt, të cilët qëndrojnë 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Për sipërmarrësit është e lehtë, sepse të kesh një biznes të jep shumë të drejta, por për pensionistët është më shumë e komplikuar, pasi një e ardhur nga pensioni dhe hapja e një llogarie bankare nuk janë të mjaftueshme.

Si e kanë siguruar leje-qëndrimin pensionistët aktualë italianë, të cilët janë rezidentë?

Ata, ose kanë blerë shtëpi – çka u garanton leje-qëndrimin – ose kanë vërtetuar se punojnë apo janë vullnetarë në disa organizata ndërkombëtare. Shumë prej tyre e kalojnë këtë pengesë duke u futur në skemën e TVSH-së; ju mund të mos keni të ardhura për aq kohë sa paguani minimumin e kontributeve, po flasim për rreth 30 euro në muaj.

Sa kushton leje-qëndrimi?

Njëqind euro, nëse nuk gaboj. Ajo zgjat një vit herën e parë, dy vjet herën e dytë dhe pesë vjet pas rinovimit të tretë. Pas pesë vitesh mund të keni 10, dhe pas 10 viteve ju mund të aplikoni për nënshtetësi, duke siguruar se leje-qëndrimit nuk i ka kaluar afati asnjëherë. Këto kosto janë të arsyeshme, veçanërisht kur i krahason me rrezikun e mosaplikimit. Për disa vite, policia kufitare ka përllogaritur ditët e qëndrimit me një sistem të kompjuterizuar. Gjobat për shkeljen e rregullave janë nga 80 deri në 750 euro. Dhe për ata që nuk mund të tregojnë faturën e pagesës nuk mund të futen më në këtë vend.

Pra, shohim që Shqipëria është një shtet si gjithë të tjerët. Më shumë se një problem ky duket një lajm i mirë për mua…

Nga pikëpamja e një shteti solid, qartësisht po. Ajo që dua të them është fakti që vetë shteti shqiptar duhet të jetë i interesuar në nxitjen, me rregulla të reja, të migracionit italian dhe të pensionistëve të huaj në përgjithësi.

Për hir të të qenit i saktë, duhet të them se ka pengesa të tjera lidhur me taksimin e pensionit.

Sipas ligjit italian pensionisti, i cili jeton jashtë shtetit, duhet të marrë pensionin pa u taksuar.

Edhe pse ekzistojnë marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë për këtë problem, në shumë raste kjo nuk ndodh. Nga njëra anë, Ministria shqiptare e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale nxjerr pengesa – pasi ajo kërkon një deklaratë nga INPS për të certifikuar se pensionisti jeton jashtë shtetit – nga ana tjetër INPS nuk i nxjerr lehtë këto dokumente të nevojshme.

Sipas dëshmive të pensionistëve me të cilët kam kontaktuar, edhe pse i besohet shumë vullnetit individual të zyrtarëve të INPS-së, fakti është që në Itali pjesa më e madhe e zyrave lokale nuk i lëshon këto dokumente të domosdoshme.

Rezultati është që pensioni që u paguhet italianëve që jetojnë në Shqipëri ende vazhdon të taksohet nga shteti italian…

Për të shmangur keqkuptimin, le të shpjegohemi: ky problem nuk ka të bëjë fare me negociatat e famshme, që në të vërtetë nuk filluan kurrë, për njohjen reciproke të pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë.

E saktë, marrëveshja së cilës i referoheni ka të bëjë me të ardhmen e qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kontribuar në Itali, dhe të qytetarëve italianë të cilët po punojnë dhe po kontribuojnë në Shqipëri.

Le të marrim një shembull klasik: ashtu si janë gjërat tani, një qytetar shqiptar, i cili ka punuar gjithë jetën në Itali dhe, përpara se të arrijë moshën e pensionit, është i detyruar të kthehet në Shqipëri, i humb të gjitha kontributet e paguara. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, atëherë e njëjta gjë do të ndodhë me italianët e rinj që kanë filluar të punojnë dhe të paguajnë kontribute në Shqipëri.

Sidoqoftë, aktualisht, numri i shqiptarëve që kanë punuar në Itali është pafundësisht më i madh…

Kjo do të thotë që, nëse një marrëveshje arrihet mes palëve, kjo do të jetë më tepër një barrë për arkën e shtetit italian sesa për atë të shtetit shqiptar. Mos ndoshta për këtë arsye, kur ishte ministër, Erion Veliaj zgjodhi ta zmadhonte numrin e italianëve në Shqipëri…

Po, ndoshta, por shifra 20 000 ka më shumë sesa një shpjegim. Të thuash se sa më shumë kalon koha aq më shumë italianë vijnë në Shqipëri është edhe një çështje mediatike, pasi ajo përdoret për të hedhur poshtë paragjykimet kundër këtij vendi.

Me pak fjalë, çdokush sheh interesin e tij, kjo është normale, në këtë rast, fali bie mbi median italiane, së cilës i interesojnë më shumë historitë sesa numrat. Ne italianët e Shqipërisë njihemi të gjithë me njëri-tjetrin, mes të anëtarësuarve apo jo në AIRE, mund të ketë më pak nga 1 000 nga ne në Tiranë.

Thënë kjo, urgjenca e njohjes së dyanshme të sigurimeve shoqërore ka ndikuar në statistikën e këtyre numrave. Në vitin 2014 kryeministri Matteo Renzi erdhi në Tiranë dhe premtoi të niste këto negociata, por në fund nuk u bë asgjë.

Dua të qartësoj se këto janë marrëveshje dypalëshe mes shteteve dhe Europa nuk ka të bëjë asfare me to. Vende si Gjermania dhe Belgjika i kanë njohur gjithmonë kontributet e imigrantëve italianë.

Atëherë, le të kthehemi tek mostaksimi i pensioneve të shtetasve italianë nga Shqipëria

Kjo gjë nuk do të ishte një sforcim nga ana e Italisë dhe do të ishte shumë e volitshme për Shqipërinë: pensionet prej 800-1 000 euro janë të ardhura që qarkullojnë; flasim për njerëzit që bëjnë pazare, marrin shtëpi me qira, nënshkruajnë sigurime shëndetësore, shkojnë në restorante.

Shkurtimisht, është një ekonomi e vogël që aktivizohet. Nëse, për momentin, fenomeni është ende i vogël, kjo ndodh për shkak të këtyre pengesave burokratike.

Sipas mendimit tim, fluksi i pensionistëve italianë do të ishte shumë më i madh nëse qeveria shqiptare do promovonte Shqipërinë si “pension i mbarë”, duke modifikuar ligjin për lejen e qëndrimit dhe duke lehtësuar praktikat për lehtësimin e taksave të pensioneve.

A mund ta gjesh identitetin e pensionistit mesatar që zgjedh Shqipërinë?

Shumica vijnë nga veriu: Toskana, Lombardia, Piemonte, Emilia gjithashtu… Ndoshta sepse në jug kostoja e jetesës është më e ulët dhe ka një lidhje më të madhe me familjen. Në veri, shumë pensionistë jetojnë vetëm…

Shumica e pensionistëve që takojmë në Shqipëri janë ish-artizanë: njerëz me pension të ulët, rreth 800 euro, të cilët kanë kursime për të blerë një shtëpi në Shqipëri dhe bëjnë një jetë të qetë, përballojnë lukse të vogla si vajtja në një restorant.

Mund të duket budallallëk, por nëse keni punuar gjithë jetën tuaj, të hash një drekë me peshk për shtatë deri në tetë euro është një motivim i fortë – veçanërisht kur nuk mund ta përballoni atë në vendin tuaj.

Peshku është i mirë, por çfarë mendon një 70-vjeçar, i cili ka jetuar tërë jetën e tij në Firence dhe zhvendoset në Durrës?

Është e vërtetë se edhe këtu ka det, por bregdeti është shkatërruar nga spekulimet me ndërtimet e gabuara; le të flasim hapur, po flasim për një nga qytetet më pak tërheqëse të Shqipërisë.

Shikoni, sigurisht që Durrësi nuk është vendi më i bukur në Shqipëri, por njerëzit e pëlqejnë atë. Unë njoh pensionistë nga Kampannja të cilët janë rritur me bregun e Amalfit para syve, por që jetojnë mirë atje.

Shëndeti mendor është ndryshe nga ajo që supozohet. Një 70-vjeçar tani është më i ri se në të kaluarën.

Ata janë njerëz aktivë, shumë prej tyre organizohen në grupe dhe nën kujdesin e bashkisë organizojnë takime dhe aktivitete kulturore. Ne nuk po flasim për pensionistë jo të pavarur të cilët kanë rënë në melankoli. Ne po flasim për njerëz që fillojnë një jetë të re.

Megjithatë, në disa intervista të fundit, ka pasur pakënaqësi ndaj Italisë

Pak po, duhet ta pranoj. Të gjithë jemi të lidhur me vendin tonë. Unë punoj për kompani italiane në Shqipëri, mendoj se nëse gjërat do të ishin ndryshe sipërmarrësit do të qëndronin në Itali.

Më vjen pak keq, por flas nga këndvështrimi i një sipërmarrësi: taksa të ulëta dhe kostoja e ulët e punës e bëjnë Shqipërinë më të përshtatshme. Unë e kuptoj melankolinë e atyre që kanë lënë vendin e tyre, nipërit, mbesat, fëmijët e tyre; por unë gjithashtu i kuptoj arsyet e atyre që, në mungesë të diçkaje tjetër, fillojnë një jetë të re. Një jetë – sepse në Itali nuk bëhet fjalë për të jetuar, por për të mbijetuar.

Si përshtatet një 70-vjeçar me një kulturë dhe një gjuhë tjetër?

Këshilla që gjithmonë u japim atyre është: para se të lëvizni, hajdeni këtu, shikoni rreth a rrotull, kuptoni, udhëtoni për disa ditë.

Duhet të njohësh kulturën dhe stilin e jetesës. Sigurisht që të rinjtë dhe sipërmarrësit nga Italia e Jugut gjejnë një kulturë më afër tyre. Sipërmarrësit e pjesës veriore kanë më shumë vështirësi me integrimin, megjithatë ka shumë.

Tek pensionistët nuk kemi parë vuajtje deri tani, në fakt ata janë shumë mirënjohës dhe të kënaqur me pritjen. Unë kam jetuar këtu për shumë vite dhe mund të them me bindje të plotë: në Shqipëri ka vlera, ka respekt për njerëzit e moshuar, që tek ne nuk janë më. Pra, nuk ka opinione negative. Kur italianët kanë një problem në Shqipëri, atyre u zgjaten shumë duar për t’i ndihmuar.

Mesatarisht, sa kushton një shtëpi në Durrës? Dhe sa është qiraja?

Pensionistët tanë paguajnë 150 euro për të marrë me qira apartamente rreth 70 metra katrore. Apartament banimi të ngjashme në Durrës në përgjithësi kushtojnë 30 000 deri në 50 000 euro.

Edhe pse tregu i pasurive të paluajtshme është në krizë dhe çmimet janë shumë të ulëta, nuk ka shumë që investojnë në blerjen e një prone.

Vetëm 10% e pensionistëve italianë në Shqipëri blejnë një shtëpi, të tjerët marrin me qira dhe për lejen e qëndrimit përdorin mënyrat që përmendëm.

Mundësi të reja do të hapen me ndërtimin e aeroportit në Vlorë, një qytet shumë më tërheqës nga pikëpamja klimatike dhe mjedisore. Projekti u miratua nga Parlamenti dhe iu besua direkt një kompanie turke. Ata thonë se në pak vite ai do të jetë gati.

Si e shihni këtë fenomen si sipërmarrës?

Për mua si sipërmarrës, pensionistët italianë në Shqipëri janë një realitet i ri dhe i paorganizuar, ndonëse me potencial shumë të fortë.

Projekti me të cilin mund të punojmë është ndërtimi i një fshati të vërtetë: imagjinoni një ndërtesë të vetme apo kompleks ndërtesash, me shërbime të centralizuara njëzet e katër orë në ditë, që vendos një tarifë të arsyeshme në këmbim të shërbimeve të saj.

Qendra të ngjashme në Tunizi tashmë po funksionojnë. Kohët e fundit, fenomeni ka rënë për shkak të problemeve gjeopolitike, por për vite Tunizia ka tërhequr pensionistë nga e gjithë Europa: britanikët, gjermanët, italianët…

Sigurisht që duhet t’i tejkalojmë këto pengesa në lidhje me taksimin e pensioneve – përndryshe do të jetë e vështirë të promovojmë Shqipërinë si një vend ku mund të kalosh pleqërinë.

Kompania juaj ka ofruar këshillim fiskal dhe ligjor kompanive të huaja që janë të interesuara të investojnë në Shqipëri. A janë dakord pensionistët që ju këshilloni me disa kosto?

Pra, duhet të bëjmë dallimin midis kompanisë dhe shoqatës. Italia-network është një firmë këshilluese për kompanitë dhe punëtorët: shërbimet e saj ofrohen kundrejt një tarife.

Kohët e fundit, për të adresuar fenomenin e pensionistëve dhe kryesisht emigracionin italian në rritje, ne kemi krijuar një shoqatë të quajtur “Italianët në Shqipëri”, përmes së cilës ne asistojmë ardhurit në përfundimin e procedurave të para.

Pa pagesë, ne lëshojmë një kartë që ka një sërë marrëveshjesh, ofrojmë një kartë telefonike shqiptar me 5 euro kredite. Pra, konsulenca jonë jepet kundrejt një pagese, por ju nuk paguani për shërbimet e shoqatës.

Një pyetje e fundit, e cila ndoshta nuk ka lidhje me ju, por unë do të pyes gjithsesi. Në vitet e fundit, migrimi italian në Shqipëri është përdorur ose për të vënë në dukje rrënimin e vendit tonë ose – në rastet më të mira – për të nxjerrë në pah përparimin e Shqipërisë.

Duke theksuar elementet e së vërtetës, kjo histori lë jashtë faktin se, nga kjo “Shqipëri e re” premtuese, të rinjtë vazhdojnë të emigrojnë me çdo kusht: në vitin 2017, në Francë, komuniteti i parë i azilkërkuesve ishte ai i shqiptarëve, ndërkohë që shërbimet tona sociale kanë raportuar për vite fenomenin e të miturve të pashoqëruar, të lënë në Itali me shpresë për një jete më të mirë.

Këto janë gjithashtu tregime italo-shqiptare, dhe nuk mendoj se asnjë migrim i pensionistëve të huaj do të kompensonte ndonjëherë balancën e migrimit. Shqipëria vazhdon të humbasë të rinj.

Po, edhe në këtë aspekt duhet të them se Italia dhe Shqipëria janë njësoj … A e dini sa herë reklamat tona për punë në Tiranë apo Bukuresht marrin përgjigje nga italianët e rinj, ndoshta të gatshëm për të lëvizur edhe me familjen?

Ne gjithmonë i marrim ata mbrapsht, për të parë nëse ata e kuptuan se puna është në Shqipëri, dhe ata përgjigjen “po, sigurisht”. Pastaj, është e vërtetë që migrimi shqiptar nuk ka mbaruar.

Unë vetë njoh të rinj shqiptarë të cilët, në verën e vitit 2015, vetëm për t’u larguar, u bashkuan me sirianët në rrugën e Ballkanit. Por duhet thënë gjithashtu se barkat janë zhdukur, sot migrimi shqiptar në Francë dhe në Europën Veriore kryhet me linja ajrore…

Unë e promovoj Shqipërinë sepse unë promovoj sipërmarrjen e huaj në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë që nuk i analizoj fenomenet – në fakt, kjo është arsyeja pse unë i analizoj ato. Për ne, një përshkrim më pozitiv është i dobishëm dhe i drejtë, sepse ky vend ka bërë hapa të mëdha përgjatë viteve të fundit.

Nuk është çështja të themi gjëra që nuk janë, por të tregojmë anën më të mirë të tij, dhe të vazhdojmë të përmirësohemi. Unë mendoj se rruga e ndjekur kohët e fundit është me të vërtetë e ajo e duhura.