luli-554x320

Pas deklaratave të forta në dy ditë e fundit nga ana e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, Policia e Tiranës i ka bërë kallëzim në Prokurori për thirrje publike për veprime të dhunshme.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, citohen edhe deklaratat e Bashës ditën e djeshme te çadra e protestës.

Kjo lëvizje e policisë, natyrisht me urdhër politik të Ramës e Tahirit, ndoshta mund të shërbejë për të përshkallëzuar më tej krizën në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Më poshtë njoftimi i plotë i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, referoi materialet proceduriale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasit Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokrate për thirrje publike për veprime të dhunshme.

Në datë 24 shkurt 2017, rreth orës 12:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në çadrën e ngritur, z.Basha, në fjalën e transmetuar drejtpërdrejt në media, ka bërë thirrje nxitëse ndaj qytetarëve të reagojnë dhunshëm ndaj institucioneve shtetërore.

“Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat…

… ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh…”, citohet Basha.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal, i cili parashikon “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.