kreret
Drejtuesit e katër partive kryesore në Maqedoni do të takohen sërish, pak ditë pasi mbajtën takimin e parë ku folën për Kumanovën dhe skandalin e përgjimeve. Protesta e një dite më parë e organizuar nga opozita është tregues i thellimit të krizës. Zoran Zaev, lideri i LSMD –së dhe opozitës deklaroi se nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë. Kryeministri Gruevski deklaroi në një televizion pranë qeverisë se kriza do të zgjidhjes sipas vullnetit të popullit, të shprehur në zgjedhjet e fundit. Në këtë mënyrë ai hodhi poshtë kërkesat për largimin e tij nga qeveria. Gruevski, Zaev dhe krerët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi do të bisedojnë për të gjetur mënyrën që protestat të mos shoqërohen me dhunë. Në takim do të marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav. Gruevski që ka 9 vjet në postin e kryeministrit duket se po e humbet edhe mbështetjen e ndërkombëtareve, pas publikimit të përgjimeve nga opozita, në të cilat dalin në pah skandale të rënda të qeverisë së tij. Popullariteti i Zoran Zaev po rritet edhe mes shqiptarëve, të cilët ishin të shumtë në numër edhe në protestën e një dite më parë.