Rama-Meta_1

Përçarja mes PS-së dhe LSI-së duket se po thellohet. Pak pasi kryeministri Rama reagoi në faqen e tij në Facebook, duke mbrojtur punën e suksesshme të Policisë së Shtetit dhe duke shtuar në fund shprehjen “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, LSI i kundërpërgjigjet me deputetin e Gjirokastrës, Vangjel Tavo. Në një prononcim për mediat, Tavo ka hedhur akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit, si dhe shprehet i shqetësuar për kanabisin në jug të vendit.

Drejtuesit e policisë janë pozicionuar politikisht.  Tahiri t’u mësojë rolin që kanë drejtuesve të policisë. Këta drejtues janë duke dëmtuar LSI-në. I kam kërkuar Tahirit largimin e këtyre drejtuesve, pasi Jugu i Shqipërisë është i gjelbëruar. Policia të merret me punën e saj, jo me politikën. Disa drejtues policie bashkëpunojnë me trafikantët”, është shprehur Tavo.

Një ditë më parë, ishte ministri i LSI-së, Lefter Koka, i cili bëri deklarata të forta kundër qeverisë dhe doli kundër koalicionit me PS-në. Më herët gjatë javës, LSI “kryqëzoi” Ramën duke i kërkuar Nishanit mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e Kelmend Balilit.

Duket se nga partia e Metës ka një strategji të mirëmenduar për të goditur kryeministrin Rama dhe për të prishur koalicionin qeverisës.

Deri më tani nuk ka një reagim nga zyrtarë të lartë të PS-së për këto qëndrime të fundit të LSI-së. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. A do t’i soset durimi Ramës me “vëllain armik”, Ilir Meta? Apo kryeministri s’ka nga ia mban pasi është peng i LSI-së dhe pa të nuk e mban dot qeverinë në këmbë?