Ish- kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përshëndetur Presidentin Hashim Thaçi për t’u paraqitur në Hagë përballë akuzave dhe drejtësisë.

Haradinaj thotë se ish-luftëtarët e UÇK-së nuk i kanë ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë edhe pse s’ka gjyq që të gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar.

Po ashtu ai shton se lufta e popullit shqiptar rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë dhe vlera nuk ka për t’i humbur pavarësisht përpjekjeve për të dëmtuar.

Një vit më parë ishte pikërisht Haradinaj që shkonte në Hagë si Thaçi sot për akuzat për krime lufte. Atëhere Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër dhe shkoi në Hagë si qytetar i thjeshtë i Kosovës dhe si ish- komandant i UÇK-së për t’u kthyer nga andej me pafajësinë.

STATUSI NGA RAMUSH HARADINAJ

Shqiptarët kanë bërë luftë të pastër dhe të drejtë, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe Atdheut. Në çdo rrethanë përgjatë tërë historisë, kemi dëshmuar pjekuri, guxim, mikpritje e bashkëpunim, e këtë e dëshmon edhe gatishmëria jonë anipse nga pozita e viktimës, t’i përgjigjemi thirrjeve të drejtësisë sado të pa drejta qofshin ato.

E vlerësoj lartë gatishmërinë e presidentit Thaçi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale. Lufta e popullit shqiptar, të rreshtuar përkrah UÇK-së ishte e drejtë, vlera e së cilës, pavarësisht përpjekjeve për ta dëmtuar, nuk do t’i humbë as sot, e as kurrë. Nuk i kemi ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë ajo e ka kërkuar këtë, pa marrë parasyshë pozitat tona shtetërore, i jemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi.
Nuk ekziston asnjë gjyq që mund ta gjykojë përpjekjen e një populli për të jetuar si gjithë të tjerët të lirë në tokën e vet.

RH