ilir meta_2

Presidenti i zgjedhur Ilir Meta e ka flakur tej statusin që ai mban qysh prej datës kur u zgjodh në postin më të lartë shtetëror. Ka disa ditë që Meta është përfshirë në fushatën elektorale të LSI-së.

Fillimisht gjoja si për një tur falenderimesh për simpatizantët e LSI-së, ndërsa ditët e fundit ai është pjesë aktive e fushatës së partisë së tij.

Kulmi ishte sot gjatë takimit në Shkodër, ku Meta sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai i etiketoi ata si “të pabesë” dhe “karagjozë” dhe gjithashtu iu referua shpesh si “Tomi” e “Xheri”.

Por si shpjegohet gjithë ky revansh i Ilir Metës? Lidhet padiskutim me marrëveshjen Rama-Basha të 18 majit dhe më së shumti me zhvillimet e ditëve të fundit.

Përmendim këtu një valë shkarkimesh në administratën publike nga radhët e njerëzve të LSI-së, shkarkime të firmosura prej ministrave teknikë të Bashës.

Kulmi ishte dje kur nisi hetimi penal ndaj deputetit të LSI-së dhe drejtorit të spitalit në Berat, për “korrupsion elektoral”.

Ndërkohë Rama dhe Basha kanë përjashtuar ministrat e LSI-së nga task forca e krijuar së fundi për të monitoruar përfshirjen e administratës publike në fushatë.

Sot në një deklaratë të ashpër, LSI e quajti “Rilindjen” si ndërmarrja më e madhe e drogës në Europë, ndërsa Ramës iu referua si “kryepolici i Rilindjes”.

Pritet që në ditët e ardhshme LSI t’i shtojë akuzat ndaj Ramës dhe Bashës dhe të bëjë atë që bën gjithnjë sa herë kaa zgjedhje: të shkarkojë përgjegjësitë nga qeverisja, të flasë dhe sillet sikur s’ka qenë fare pjesë e qeverisjes.