droge-oborr-c1200x600
Ajo që përflitej prej kohësh se Tepelena është shndërruar në vatrën e re të kultivimit të kanabisit, u vërtetua në një farë mënyrë edhe sot gjatë seancës së fundit të Kuvendit për këtë sesion. Përfaqësues të opozitës bënë publike komunikimet me efektivë policie nga Tepelena, të cilët tregojnë edhe përfshirjen e strukturave të shtetit dhe kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, në kultivimin dhe trafikun e drogës.

Deputetët Paloka dhe Ristani, iu referuan fshatit Dorëz në Tepelenë, por sic mëson Lapsi.al parcela të tëra me kanabis ka edhe në shumë fshatra të tjerë, si Progonati, Shalsi, Izvori, Buzi, Salaria, Gusmari etj. Shumë zëra thonë se operacioni i bujshëm në Lazarat për spastrimin e fshatit simbol të kultivimit të drogës, ishte ndër të tjera edhe në funksion të hapjes së fronteve të reja për kultivimin e marijuanës dhe Tepelena është në fakt një nga këto fronte.

Kjo kuptohet lehtësisht edhe operacionet gati të përditshme të policisë në këtë zonë, që asgjëson rrënjë kanabis. Por edhe këtu kemi të bëjmë me operacione selektive. Lapsi.al mëson se parcelat me kanabis, që janë në pronësi të njerëzve të lidhur me struktura shtetërore dhe zyrtarë të policisë nuk preken. Këtu eshtë edhe rasti i denoncuar sot në Kuvend nga opozita. Sipas mesazhit të lexuar nga Ristani, kultivuesit e rreth 10 mijë rrënjëve kanabis në fshatin Dorëz janë të lidhur me kryebashkiakun, Tërmet Peçi, prandaj nuk asgjësohen. Më poshtë mesazhi i plotë i oficerit të policisë në Tepelenë:

“I nderuar Zoti Ristani, Une qe po ju shkruaj jam nje punonjes i forcave te rendit. Do doja te ngrija shqetesimin tim persa i perket nje ngjarjeje qe me ka lene me goje hapur . Nuk po ju shkruaj me identitetin tim te vertete sepse mund te rrezikoj pushimin nga puna . Para disa ditesh ne ishim ne fshatin Dorez te Tepelenes per te kundervepruar ndaj kultivimit te bimes se hashashit . Rezultuan rreth 10 mije rrenje te mbjella dhe ne e vertetuam me syte tane kete gje . Por me e bukura ishte qe nuk mundem te merrnim asnje mase pasi “pronari” ne fjale eshte i njohur i kryetarit te bashkise dhe per kete arsye ka mbrojtje pa kriter . Ky rast ra dhe ne vesh te ministrit Tahiri i cili me paturpesine me te madhe nuk beri asgje ne disfavor te ketij rasti . Une do tju lutesha qe ky rast te publikohej dhe te behej problem ,pasi denoncimi eshte i kote kur nga me i vogli tek me i madhi jane aleate te flakte te krimit”- përfundon mesazhi i dërguar në celularin e Arben Ristanit.

Një vit më parë policia zhvilloi operacionin e bujshëm në Lazarat dhe ia doli të spastronte fshatin nga parcelat me kanabis, por sot jemi përballë një realiteti tjetër, “Lazaratizimi” i Tepelenës. Bima narkotike është transferuar nga Lazarati në fshatrat e Tepelenës dhe duke iu referuar denoncimeve të opozitës, por edhe burimeve të Lapsi.al, kemi të bëjmë me përfshirje të strukturave të policisë dhe zyrtarëve lokal. Kjo e sfumon jo pak zotimin e qeverisë për luftë të pakompromis ndaj kultivimit dhe trafikut të drogës.

Edhe në seancën plenare kjo cështje ishte në qendër të debateve mes ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha. “Qershia mbi tortë” e këtij debati, ishte deputeti socialist Koco Kokëdhima që vazhdoi t’i mëshonte idesë së tij për legalizimin e kanabisit, bimën që ai e konsideron si “të shkëlqyer dhe me veti kurative”, edhe pse shprehet se nuk e ka provuar kurrë.