jhjhj

IRANE-Ne të katërt po festonim. Një person të cilin nuk e njihnim, u afrua në drejtimin tonë. Nxori armën dhe qëlloi në këmbë Pajtim Serjanin. Pajtimi u largua me vrap. Për një moment, këtij personi iu bllokua arma dhe po bënte çmos që ta zhbllokonte. Pikërisht në këto çaste Roland Meta nxori pistoletën dhe iu drejtua: Ndal, policia! Ai nuk u bind. Qëlloi në drejtim të Rolandit. Edhe Rolandi ndërkohë qëlloi. Ai u plagos dhe po përpiqej të largohej. Rolandi ra përtokë i plagosur në stomak….”. Denis Ramani dhe Ditmir Reçi, dy të mbijetuarit e atentatit në Rrugën e Kavajës kanë dhënë dëshmitë e tyre përpara hetuesve, duke shpjeguar se nuk e njihnin personin që drejtoi armën ndaj Serjanit e vetë atyre dhe nuk kishin pasur ndonjë konflikt të mëparshëm apo të çastit me të. Rrëfimi i të mbijetuarve duket se i ka ardhur në ndihmë proku-rorisë për të rindërtuar edhe njëherë mekanizimin e ngjarjes së rëndë, që përfundoi me vrasjen e Arjanit Sterjos, për të cilin jozyrtarisht thuhet se ka qenë vrasës me pagesë, plagosjen e Pajtim Serjanit dhe të policit Roland Meta. Prokuroria konfirmoi dje se për vrasjen e 42-vjeçarit Sterjo, i lindur në Çorovodë e me banim në Tiranë do të akuzojë oficerin e forcave speciale operacionale, Roland Meta dhe do t’i drejtohet gjykatës me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të.

Ndaj punonjësit të policisë, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë për shkak të plagëve që ka marrë, është ngritur akuza e “Vrasjes, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Prokuroria ka dyshime të forta se Roland Meta nuk ka qenë në ushtrim të detyrës, e kësisoj duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Sa i përket viktimës, duket se policia nuk ka shumë të dhëna për të kaluarën e tij, e cila vazhdon të mbetet paksa e paqartë. Nga verifikimet e para rezulton se ai ishte deportuar kohët e fundit nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Atentatet “zinxhir”
Në një kohë që ngjarja e rëndë e Rrugës së Kavajës ka një autor, që është Arjanit Sterjo, paçka që motivi nuk është i qartë, prokuroria nuk ka ende të dyshuar për atentatin që iu bë në afërsi të mbikalimit të Kasharit, Emiljano Shullazit dhe mikut të tij Gilmando Danit, pak minuta më vonë, kur në zemër të Tiranës u plagos miku tjetër i tyre, Pajtim Serjani. Ndonëse policia zyrtarisht deklaron se atentatet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, prokuroria ka dyshime të forta se në fakt është krejt e kundërta, edhe pse po i heton si dosje me vete. Ngjarjen e Rrugës së Kavajës po e heton prokurori Florian Binjaku, ndërsa atentatin ndaj Shullazit dhe Danit, prokuror Kolë Hysenaj. Sa i përket atentatit ndaj Shullazit e Danit, prokuroria përveç veprimeve rutinë, ku ka fiksuar provat në vendngjarje e ka marrë dëshmitë e të dëmtuarve, ka mundur gjithashtu të identifikojë pronarin e makinës tip “Golf” me të cilin udhëtonte Shullazi, një personazh jo pak i njohur për policinë e drejtësisë dhe miku i tij, Dani. Ai është Tahir Berisha nga Durrësi dhe ka pranuar që ia ka dhënë makinën Shullazit.

Atentati në Rrugën e Kavajës:
Të plagosur
Pajtim Serjani, 32 vjeç
Roland Meta, 37 vjeç, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale
I vrarë
Arjanit Sterjo, 42 vjeç
Të pranishëm në vendngjarje:
Denis Ramani, 28 vjeç
Ditmir Reçi, 33 vjeç
Atentati te mbikalimi i Kasharit:
Të plagosur:
Emiljano Shullazi, 36 vjeç
Gilmando Dani, 36 vjeç