Kapitali njerëzor i referohet atributeve të një popullsie që së bashku me kapitalin fizik siç janë ndërtesat, pajisjet, dhe asetet e tjera të prekshme, kontribuojnë në produktivitetin e ekonomisë.

Kapitali njerëzor karakterizohet nga nivelet arsimit dhe shëndetit në një popullsi dhe është një tregues se më çfarë shpejtësie do të ecë ekonomia në të ardhmen.

Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit (The Lancet) ka bërë krahasime të zhvillimit të kapitalit njerëzor në nivel global (195 vende) nga viti 1990 -2016.

Studimi tregoi se Shqipëria ka bërë regresin më të madh në Europë madje në rang global në këto 26 vite. Në vitin 1990 Shqipëria u rendit e 75 në botë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, por në vitin 2016 ajo u rendit në vendin 91, duke humbur plot 16 pozicione në renditjen globale.

Për sa i përket kapitalit njerëzor Shqipëria krahasohet vetëm me vendet afrikane, teksa është pas vendeve të rajonit. Vendi ynë është i vetmi me të verdhë në Europë në hartën e nivelit të kapitalit human,shkruan “monitor”.

Serbia ruajti të njëjtin pozicion si në vitin 1990 deri në vitin 2016 duke u renditur e 46 tanë rang botëror për indeksin e zhvillimit të kapitalit njerëzor.

Maqedonia përparoi me një vend në këtë indeks duke u ngjitur në vendin e 51 më 2016 nga vendi i 52 në të cilin ndodhej në vitin 1990. Bosnja dhe Mali i Zi patën përkeqësim të indeksit më 2016, përkatësisht me nga 6 dhe 7 pozicione secili por gjithsesi patoi performuan shumë më lart se Shqipëria në renditjen globale.

Në raport me vetveten Shqipëria u përmirësua shumë pak në këto 26 vite, teksa vende të tjera të rajonit dhe Europës u përmirësuan më shpejt.