Shqiptarët nuk janë shumë të lumtur që të paguajnë taksa për investime publike, në drejtim të arsimit, shëndetësisë dhe të mirave të tjera publike. Këtë gjë e thotë një studim i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rezultatet e plota të të cilit do të publikohen në muajin Mars.

Rezultatet paraprake tregojnë se, me një vlerësim nga 1 në 10, ku numri 1 shpreh pakënaqësi dhe numri 10 pranim të plotë të sistemit tatimor, Shqipëria vlerësohet me notën 4.5.

Paçka se është një normë e ulët në krahasim me vendet e zhvilluara, si Gjermania apo Austria, Shqipëria ka rezultatin e dytë më të mirë në rajon pas Kosovës.

Kjo do të thotë se, në Ballkan, shqiptarët janë ata më të gatshmit për të paguar taksat e tyre, një detyrim i pashmangshëm për çdo shoqëri, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet mbarëvajtja e shërbimeve publike.

E sidomos dy më të rëndësishmet: arsimi dhe shëndetësia. Këta dy sektorë janë element përplasjesh në vende të ndryshme të globit sa i përket politikave qeveritare dhe taksave.

Edhe në Shqipëri, kohët e fundit, çështja e taksave për sektorët prioritarë është kthyer në qendër të vëmendjes gjatë kohëve të fundit, nxitur kryesisht nga protestat e studentëve.

Kështu, në Kosovë i jepet nota 5.6 dëshirës për të paguar taksat, Serbi 4.1, Mali i Zi 3.9 dhe Maqedoni 3.2. Pyetja ekzakte në këtë anketim është: “nga 1-10, sa i pranoni ju taksat dhe kontributet për të financuar të mirat publike?”. Në vend të parë në nivel global është Gjermania, me një notë në 7.