Përfaqësuesit e televizioneve kryesore private në vend zhvilluan sot një takim konsultativ me kreun e Autoritetit të Mediave Audiovizive. Takimi kishte në fokus diskutimin paraprak për propozimin e tyre, për një ndryshim në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Ky ndryshim që është përcjellë në AMA, ka për qëllim mbështetjen financiare të subjekteve televizivë përmes krijimit të një fondi të finacimeve të transmetimeve.

Sipas njoftimit të bërë publik nga AMA, gjatë takimit u diskutua për dobishmërinë e këtij propozimi dhe rëndësinë që ka një financim i tillë për mediat private. Më poshtë qëndrimi i mbajtur në takim nga përfaqësuesit e televizioneve.

Aleksandër Frangaj, Drejtor i Përgjithshëm i Televizionit kombëtar Klan, tha se propozimi vjen nga shoqata e mediave dhe pjesës më të madhe të televizioneve privatë. Kjo ide nuk është e re, por është rikthim i propozimit të bërë në vitin 2012, ku kërkohej krijimi dhe përfshirja e “fondit të transmetimeve” në ligjin 97/2013 “Për mediat audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Fondi që propozohet të përdoret për mbështetjen e TV private, propozohet të përftohet prej tarifës së shërbimit për përdorimin e aparatit marrës televiziv. Aplikimi i teknologjive të avancuara në tregun audioviziv ka rritur kostot dhe ka reduktuar të ardhurat nga reklamat, dhe ky fond pritet të japë impakt në balancimin e tregut.

Irfan Hysenbelliu, president i Televizionit News 24, u shpreh se e mbështet tërësisht këtë projektligj dhe se kjo praktikë vjen nga eksperienca evropiane, e cila është tashmë e provuar që funksionon si e suksesshme.

Ilva Tare, Drejtore e Informacionit në Televizionin Ora News, theksoi se, duke qenë se edhe media private kryen shërbim publik, ky ligj do të sigurojë dhe përmirësojë cilësinë mediatike dhe besueshmërinë tek publiku.

Carlo Bollino nga Report TV vleresoi se ligji është siguri edhe për gazetarinë investigative, duke promovuar lirinë e medias dhe rrit luftën kundër fake neës.

Ben Blushi, Drejtor i Përgjithshëm i Televizionit kombëtar Top Channel, u shpreh se, ky projektligj është tashmë i konsultuar dhe ai tenton të rregullojë përfundimisht tre aspekte të rëndësishme: raportin e televizioneve në tregun mediatik, raportin e tyre me publikun dhe siguron integrimin e një Bordi Etik pranë çdo medie. Ky bord merr përsipër të luftojë lajmin e rremë. Ky projekt për Blushin rrit pavarësinë mediatike dhe i ka të gjitha arsyet të miratohet sa më shpejt.

Nga ana e tij, Kryetari i AMA-s, Gentian Sala, vlerësoi partneritetin e institucionit me operatorët në treg, duke vlerësuar çdo propozim dhe inciativë që vjen nga grupet e interesit. Ky propozim përfshin disa problematika dhe kërkon angazhimin e sa më shumë aktorëve në konsultime, tha ai duke siguruar se do të ketë vëmendje maksimale gjatë diskutimit dhe vendimarrjes përkatëse nga Bordi i AMA-s.