Të dhënat më të fundit nga studimi i fondacionit “Friedrich Ebert” në Europën jug-lindore nxjerrin në pah të dhëna mjaft interesante për vendin tonë. Kështu, studimi i kryer në formën e një ankete tregon se më shumë se gjysma e të rinjve shqiptarë duan që vendi të drejtohet nga një lider me dorë të hekur, në emër të së mirës publike. Rreth 54% e të rinjve shqiptarë e duan diçka të tillë, dhe në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Europës jug-lindore kjo është norma më e lartë.

Por ajo që bie më shumë në sy, madje edhe më shumë se rekordi europian në këtë drejtim, është fakti se kjo normë në vitin 2008 fiksohej në vetëm 11%. Pra në harkun e 1 dekade, qasja e të rinjve shqiptarë ndaj drejtimit të vendit ka ndryshuar rrënjësisht, pasi në 2008 vetëm 1/10 kërkonte një lider autoritar, ndërsa sot, më shumë se gjysma e të rinjve. Por, ndër të tjera, të dhënat tregojnë edhe një fakt tjetër, se me kalimin e viteve, të rinjtë shqiptarë, të moshës 16-27 vjeç e kanë humbur interesin për politikën.

Në vitet 2011-2015, ata që nuk kishin aspak interes në politikën e brendshme ishin vetëm 15%, ndërsa sot vlerësohen në 61%. Edhe në këtë rast, kjo është norma më e lartë mes vendeve të Europës juglindore. Të dhëna të tjera, pjesë e anketës, tregojnë gjithashtu se, të rinjtë shqiptarë janë ata që e deklarojnë veten më nacionalistët në rajon, pas bullgarëve. Sa i përket mbështetjes ndaj Bashkimit Europian, mes të rinjve shqiptarë, fiksohet në 95%, si në asnjë vend tjetër të rajonit të Europës jug-lindore.