studentet-proteste_0
Studentët që qëlluan me vezë kryeministrin Edi Rama do të protestojnë sot përballë kryeministrisë, rreth orës 11;00. Studentët kanë bërë thirrje në rrjetet sociale, që të gjithë ata që janë kundër ligjit të ri për arsimin, t’i bashkohen protestës. Grupimi i studentëve “Për Universitetin” qëlluan me vezë kreun e qeverisë, disa ditë më parë dhe u shoqëruan në polici. Në rrjetet sociale nuk përmendet nëse e njëjta formë proteste, do të përsëritet edhe sot, përballë godinës së qeverisë. “Shpërfillja ndihmon dhunuesit” shkruajnë studentët, që dhunën nuk e shohin thjesht në veprimet e policisë, por edhe në privilegjet ekonomike që i gëzon vetëm një grup njerëzish.

Thirrja e studentëve për protestën:

Nesër në orën 11, studentë e pedagogë, aktivistë e qytetarë, popull mbarë, do marshojmë kundër dhunës shumëpërmasore të një grushti oligarkësh me pushtet politik, privilegje ekonomike dhe hegjemoni ideologjike. Sa më të shumtë e të vendosur të bëhemi nesër, aq më e afërt është dita kur universiteti dhe shoqëria do të çlirohen nga kontrolli i pushtetarëve, zhvatja e të privilegjuarve dhe manipulimi i gjithanshëm. Nesër është e pamundur të jesh spektator. Shpërfillja ndihmon dhunuesit. Nëse nuk je dakord me qëndrimet e Lëvizjes Për Universitetin, por prapëseprapë je kundër dhunuesve të trefishtë, bashkoju protestës me pankartën tënde, thirr parullën tënde e folu publikisht të gjithëve sipas botëkuptimit tënd. Bulevardi dhe sheshi janë ende publike, u takojnë të gjithëve barazisht. Për universitetin, për shoqërinë.