Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 125.98 lekë, duke u rritur lehtë me 0.09 lekë, në krahasim me ditën e mëparshme, pas dy ditëve radhazi ku monedha e përbashkët kishte humbur pikë.

Ndërsa dollari ra lehtë me 0.07 lekë, duke u konvertuar me 107.96 lekë.
Euro mbetet e dobët edhe në bursat ndërkombëtare, ku ajo u këmbye sot në rreth 1.16 USD, niveli më i ulët që nga tetori 2017.

Megjithatë, në Shqipëri, në tetor, kur monedha e përbashkët këmbehej me dollarin në nivele të njëjta me sot, një euro ishte e barazvlefshme në tregun vendas me 133.5-133.8 lekë, duke treguar se rënia e tij lidhet më shumë me faktorë të brendshëm, sesa me reflektimin e bursave ndërkombëtare.

Që nga mesi i vitit 2016, euro ka shënuar rënie të vazhdueshme në raportet e këmbimit me lekun. Mesatarja e vitit 2016 ishte 137.4 lekë, nga 139.7 lekë, që u mbyll viti 2015.

Në 2017, kursi mesatar i këmbimit zbriti në 134.1 lekë, ndërsa më i thellë ka qenë nënçmimi në muajt e parë të 2018-s, ku mesatarja për 6 mujorin ka zbritur në 130 lekë. Aktualisht, në krahasim me fillimin e këtij viti, ku euro këmbehej me gati 134 lekë, monedha e përbashkët ka humbur rreth 9.3 lekë, ose rreth 6%.

Arsyet kryesore, sipas ekspertëve lidhen me ofertën për valutë, e cila vlerësohet se vjen më së shumti nga kanalet informale, siç u tregua nga kapja e rreth 3.5 milionë eurove cash në Portin e Durrësit dy ditë më parë, teksa të dhënat zyrtare të bilancit të pagesave nuk flasin për ndonjë përmirësim të burimeve zyrtare të hyrjes së valutës. LEXO EDHE “Zhgënjejnë” fondamentet; në tre muajt e parë hynë zyrtarisht 16 milionë euro më pak, nuk justifikojnë rënien e euros

Një tjetër faktor që ka ndikuar janë dhe transaksionet e bankave për konvertimin e kapitalit nga euro në lekë, në kuadër të procesit të shit-blerjeve të bankave.

Pasi euro arriti në nivelin më të ulët të 10 viteve në fillim të qershorit, në 124.17 lekë, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë e frenuan rënien e mëtejshme dhe e ngjitën përkohësisht euron në 128 lekë, por më pas monedha e përbashkët ra sërish dhe pas luhatjeve të forta është stabilizuar në rreth 126 lekë. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të jetë vazhdimisht në treg për të mos lejuar rënie të fortë të euros.

Ekspertët presin që euro të jetë e dobët për shkak të efekteve sezonale, që lidhen me prurjet e turistëve dhe të emigrantëve.