Genoveva-Ruiz-Calavera-400x267

Drejtoresha e zgjerimit ne Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera, e cila është edhe shefja e Operacionit Ndërkombëtar te Monitorimit ka mbërritur në Tiranë. Me një rol këshillues, por kyç në procesin e Vetingut Genoveva Ruiz Calavera paralajmëroi se struktura që ajo drejton do të jetë e rreptë gjatë vetingut.
“Do jemi të rreptë në zbatimin e kritereve të ligjit, nëse do ketë rrjedhje informacioni nga punonjësit tanë, ata do largohen menjëherë. Me të mbaruar afati i dorëzimit të aplikimeve te Avokati i Popullit, do fillojmë nga puna për të parë dosjet e secilit kandidat.
Pak javë më vonë pritet të vijë edhe pjesa tjetër e stafit që do kompletojë gjithë OMN”, tha Genoveva Ruiz Calavera në një bisedë me gazetarët. Në Shqipëri pritet të vijnë edhe 3 anëtare të këtij misioni, të cilët janë nga Gjermania, Italia dhe Austria.
Më herët shefja e misionit ka pasur një takim me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta, por edhe me ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Duke folur për gjykatësit nga SHBA dhe BE që do të marrin pjesë në procesin e Vetingut, ambasadori Donald Lu tha se ata “do të shërbejnë si monitorues në secilin prej Komisioneve të Vetingut për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa lejuar anësi politike dhe pa toleruar korrupsion apo paaftësi profesionale”.