Sot, gjatë samitit të Këshillit të Ministrave të BE-së në Luksemburg, liderët e vendeve të Bashkimit Europian do të vendosin nëse Shqipërisë dhe Maqedonisë do t’u jepet drita jeshile për hapjen e negociatave, apo do të shtyhet në një datë të dytë në vjeshtë.

Do të diskutohet mbi paketën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Kujtojmë që Komisioni Europian i hapi sërish dritën jeshile Shqipërisë dhe tha se vendi i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave.

Por pavarësisht këtij rekomandimi, shtyrja për në vjeshtë është përmendur nga disa zyrtarë gjermanë gjatë vizitave në Shqipëri. Kjo edhe për faktin që Holanda e konsideron hapjen e negociatave aktualisht si të parakohshme. Kujtojmë që ky shtet madje ka kërkuar nga Parlamenti Europian që të rikthejë sërish regjimin e vizave me Shqipërinë.

Qershorin e kaluar vendimi u shty pikërisht për tani pas skepticizmit të tre vendeve, Holandës, Francës dhe Danimarkës.

Shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra, por gjithcka mbetet në dorë të vendeve anëtare.