Takimi i kërkuar nga artistët e Teatrit Kombëtar me Ministren e Kulturës, të mërkurën në orën 16:00, rrezikon të mos zhvillohet, pasi nuk ka një dakordësi për vendin e takimit.
Në Top Show, ministrja Kumbaro u shpreh se nuk e ka marrë në dorëzim letrën e artistëve, por tha se është e gatshme të negociojë, duke pritur artistët në ambientet e ministrisë së Kulturës.

Nga ana tjetër, artistët kanë kërkuar që takimi të mbahet në ambientet e Teatrit Kombëtar dhe jo në Ministri, gjë që ministrja Kumbaro nuk e mirëpriti.

“Letrën tuaj nuk e kam marrë, por rëndësi ka që ne jemi të gatshëm të bisedojmë me ju. Nesër ju presim në ambientet e Ministrisë, për të diskutuar, pasi në Teatrin Kombëtar unë vij për të parë shfaqje dhe jo për të bërë biseda të tilla”, – tha Kumbaro.

Nga ana tjetër, artistët akuzuan se punonjës të Ministrisë së Kulturës po ushtrojnë shantazh ndaj disave prej tyre, për të marrë pjesë në takimin e nesërm në ambientet e institucionit.