Partia Socialiste e Tiranës ka festuar dje festat e fundvitit kur ishin të pranishëm disa prej deputetëve. Taulant Balla, Vasilika Hysi, Ogerta Manastirliu, Elona Gjebrea, Ulsi Manja, Fatmir Xhafaj etj kanë marrë pjesë në festë por mungonte ish-kreu i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri.

Ndonëse dje Tahiri doli fitimtar nga një betejë tjetër me drejtësinë duke rimarrë pasaportën dhe kartën e identitetit dhe duke rrëzuar vendimin e shkallës së parë që e ndalonte të dilte jashtë shtetit, ai nuk e ka parë të arsyeshme të jetë mes socialistëve megjithëse udhëhoqi garën për PS-në në Tiranë.

Pas daljes së akuzave dhe përfshirjes, sipas prokurorisë, në dosjen Habilaj, kryeministri Edi Rama tha se Tahiri nuk do të jetë më pjesë e grupit të PS dhe as e forumeve drejtuesve të Partisë Socialiste. Dje ish-ministri Tahiri uroi festat e fundvitit pas daljes nga gjykata por nuk e përmendi më frazën se do të fliste së shpejti.