infermieret-stop

Studentët e Mjekësisë dhe Mësuesisë duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit, që të mund të marrin licensën e të ushtrojnë profesionin e tyre. Por dy infermierë në Fier, Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli, nuk e kanë kaluar provimin e shtetit dhe janë në punë.

Drejtori i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi thotë se ka lëshuar leje provizore 1-vjeçare. Por në Qendrën Shëndetësore numër 3 në Fier, ku punojnë Nazo dhe Mekolli, ata kanë dorëzuar leje definitive 5-vjeçare.

Emisioni investigativ “STOP” mësoi se lejet e tyre janë të falsifikuara dhe Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për këtë çështje.

Gazetarët e emisionit “STOP” iu drejtuan Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ku studentët e Mjekësisë dhe Mësuesisë i nënshtrohen provimit të shtetit. Drejtoresha e AKP, Rezana Vrapi tregon se personat të cilët nuk janë të pajisur me licensë nuk kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit.

“Nëse studentët rezultojnë me më pak se 50 pikë nuk mund të pajisen me licensë, pasi totali i pikëve të provimit është 100”.

Drejtori i Urdhërit të Infermierit, Sabri Skënderi thotë se Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli janë të pajisur me një leje provizore 1-vjeçare për të ushtruar profesionin e infermierit.

“Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli i janë nënshtruar 2 herë provimit dhe janë rrëzuar”.
Ndërkohë, Gjergji Nazo dhe Eraldo Mekolli punojnë në Qendrën Shëndetësore Nr.3 në Fier.

Drejtoresha: “Unë në dosje kam pasur lejen 5-vjeçare të Gjergjit. Kështu që, nëse ju nuk besoni në këtë fjalë, mund të shkoni tek Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe të kërkoni atje një kopje ose të verifikoni licensën e personit, lejen 5-vjeçare. Për këtë të siguroj”.

Drejtoresha: “Ja, kjo është, kanë ardhur, që unë e kam protokolluar shkresën në datën 8 Shtator 2016, kanë lënë procesverbalin për sekuestrimin e sendeve nga oficeri i policisë, filani. Shkrimi pak jo i qartë dhe nuk e lexoj dot për momentin. Kështu që kanë ardhur me vendimin e prokurorit. Sendet e gjetura vlerësohen si prova materiale ose sende të lidhura në një vepër dhe janë këto”.

Gazetari: Po Eraldo e ka 5–vjeçare lejen e ushtrimit të profesionit?
Drejtoresha: Po! 5-vjeçare.
Gazetari: Edhe Eraldo?
Drejtoresha: Po! Ta tregova.
Gazetari: Ouu…
Drejtoresha: Po vë në dyshim fjalën apo…?
Gazetari: Jo! S’po ve në dyshim, se unë isha tek Urdhri i Infermierit dhe atje e kanë 1–vjeçare, provizore.
Drejtoresha: Nuk e di unë, këtu e kanë ja…, ja….
Gazetari: 5–vjeçare.
Drejtoresha: Është 5–vjeçare, nuk është provizore.

Problemi rezulton shumë herë më i madh nga çfarë ishte konstatuar në fillim. Dy infermierët kanë falsifikuar lejen e ushtrimit të profesionit. Madje, Prokuroria e Fierit ka nisur një procedim penal për Gjergji Nazon.

Shefi i Burimeve Njerëzore pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Fier thotë se fenomeni i falsifikimit të Urdhërit të Infermierit është shumë më i madh. Shumë infermierë ushtrojnë profesionin më leje të falsifikuar dhe pa marrë provimin e shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

“Ka disa emra në të gjithë rrethin e Fierit në Qendrat Shëndetësore me probleme të tilla dhe Prokuroria i ka sekuestruar dhe këto dy dosje edhe nëpër qendra të tjera”.

Gazetarët e emisionit “STOP” shkuan pranë Prokurorisë së qytetit të Fierit dhe kërkuan që të dalin në një vendim sa më të shpejtë, pasi këta infermierë kanë kontakt të përditshëm me pacientë të ndryshëm, të cilëve mund edhe t’ua rëndojnë shëndetin nga paaftësia e tyre për të ushtruar këtë profesion.