deville
Zyra e EURALIUS është në mesin e një fortune pas zbulimit se ajo e ka përkthyer me shumë gabime ligjin e Vetting-ut që Gjykata Kushtetuese i dërgoi Komisionit të Venecias për mendim. Shtypi shkruan sot pasojat e këtij skandali kanë prekur kreun e misionit, Rainer Deville. Sipas gazetës Shekulli, Deville është shkarkuar nga detyra.

“Zoti Deville para një jave është larguar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë. Kemi informacione se ai është shkarkuar nga detyra që mbante në Tiranë”, i kanë thënë disa burime gazetës.

Shekulli është interesuar edhe pranë zyrës së EURALIUS dhe ka marrë këtë një përgjigje evazive, teksa zyra e Deville i është lutur të mos e publikojë informacionin. “Është e vërtetë që zoti Deville prej disa ditësh ka shkuar jashtë me pushime, ndërsa nuk kam hollësi për çështjen që më pyesni ju. Madje zërat për një shkarkim të mundshëm të zotit Deville për herë të parë po i dëgjoj nga ju. Jam i habitur për këto që thoni, sepse për aq sa dimë ne, zoti Deville ka marrë lejen e zakonshme dhe ka shkuar jashtë shtetit për pushime. Gjithësesi unë do të mundohem t’ju lidh me personin përgjegjës, sapo të kumunikoj, do t’ju njoftoj. Do të doja nga ju që të mos publikonit asgjë në lidhje me këtë çështje derisa t’ju japin një përgjigje zyrtare”.

Opozita gjeti gabime të shumta në përkthimin e ligjit në anglisht. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i tha gazetës Mapo se ligjin e kishte përkthyer EURALIUS. Opozita thotë se nëse Komisioni i Venecias gjykon mbi variantin anglisht, vlerësimi nuk do të ishte i drejtë, pasi në versionin anglisht ligji ka marrë formë tjetër. TV Klan publikoi një listë me ndryshimet e dhjetëra neneve nga shqipja në anglisht, me fjali të shtuara, të hequra apo të transformuara.

Deville ka qenë në qendër të kritikave të opozitës edhe gjatë hartimit të ligjit të Vetting-ut. Burime të lapsi.al thanë se ishte ai që vendosi të mos pranojë asnjë nga amendamentet e opozitës për ligjin. Gjatë diskutimit të reformës në drejtësi në komisionin e posaçëm pati disa herë zëra se ndërkombëtarët që asistuan, hodhën në letër versione të ndryshme nga ato që palët kishin rënë dakord.

Mbi Deville duket se bien kështu të gjitha përgjegjësitë për “përkthimin e gabuar”, që opozita dyshon se është bërë qëllimisht për të ndikuar opinionin e Komisionit të Venecias. Kot nuk thonë që djalli fshihet në detaje apo siç thuhet në anglisht “(D)Evil is in the details”.