droga-1024x680

Partia Demokratike ka vijuar me një tjetër denoncim të personave të punësuar në administratën publike, të cilët janë të përshirë në veprimtari të paligjshme. Kësaj here nga selia blu u akuzua drejtori i Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit, Alban Ahmetaj. Sipas PD, Ahmetaj është i përfshirë në korrupsion dhe trafik droge. Më parë ai ka qenë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, por u rikthye pas ardhjes së socialistëve në pushtet:
“Pak javë më parë u ndalua një nga oficerët e kësaj strukture, Hamza Demushi. Pas hetimeve, rezultoi se Demushi ishte i dërguar, i mandatuar në këtë tregti droge, nga shefi i tij, pikërisht nga drejtori Alban Ahmetaj. Ne nxisim prokurorinë të hetojë e të mos ndikohet nga presionet e Tahirit dhe Didit, pasi ky person është i afërt me ta. Forcat operacionale janë përgjegjëse për mbulimin, vëzhgimin, gjurmimin me metodat speciale të hetimit. Pra kjo strukturë kryen operacionet më të rëndësishme kundër krimit e trafikut, kundër bosëve të drogës. Merreni me mend, se çfarë ndodh me trafikun e drogës, kur shefi i kësaj strukture, përgjegjësja kryesore për ndalimin e narko-trafikut, është vetë pjesë e pazareve të pisëta e të jashtligjshme.Kjo do të thotë se; banda më e rrezikshme e drogës, është në radhët kryesore të Policisë së Shtetit”,- deklaroi Arben Ristani.
Më tej Sekretari i Përgjithshëm i PD-së e lidhi ketë ngjarje edhe me zhvillimet e fundit, me akuzat ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta.
“Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur krerët e shtetit, Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kur Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit”,- theksoi Ristani.

Opozita ka denoncuar vazhdimisht shumë emërime të zyrtarëve në administratë dhe Policinë e Shtetit, që sipas saj kanë pasur një të kaluar kriminale. Në disa prej rasteve, i gjendur ngushtë, kryeministri Rama ka bërë shkarkimin e tyre. Por ka ende të tjerë që vazhdojnë të mbajnë funksione të rëndësishme publike