11758970_10153296726504724_1133691218_n
Duket se tashmë PD po shkon drejt një pike pa rikthim. Pra të ndarjes së shapit nga sheqeri. Ka dy vjet që kryetari i saj Basha, që duket se vuan fort nga komplesi i Edipit ndaj ish kryetarit Berisha, nuk ia ka dalë të krijojë një profil të qartë politik. Nëse pyet dikë se “ç’është Berisha” në çast ta thonë. Sipas bindjeve dhe emocioneve, ama secili e ka të skalitur profilin e këtij. “Ç’është Rama?…Meta? …Nano?” Për të gjithë ka nga një përgjigje gati.

Ç’është Basha?

Për këtë vështirë të gjesh përgjigje të tipit: diktator, njeri i kompromisit, pragmatist, liberal, konservator, …e mbi të gjitha LIDER. Sidomos këtë të fundit nuk ia ka dalë ta shfaqë e për rrjedhim , as t’ia frymëzojë dikujt.

Që prej nëntorit të shkuar presioni që kryetari i PD të shfaqet kanë ardhur në progresion gjeometrik. “Populli opozitar” – term i përmendur dikur nga pushteti i sotëm – më shumë se çdo popull tjetër opozitar në 18 vitet shtrëngohet ditë pas dite në rradhë të parë në morsën ekonomike , e cila më pas përkthyhet në gjithë format e tjera. Një pjesë e madhe – mbi 21 mijë në 6 muajt e fundit – janë në dyert e Gjermanisë në kërkim të azilit. Për bukë? JO! kanë qenë edhe më keq se kaq në vitin 1992. Por atëhere kishin shpresën. Besonin se komunizmi do të binte dhe ekonomia do të ngrihej shumë shpejt. Kanë qenë shumë e shumë më keq në vitin 1997. Por sërish patën shpresë, sepse Shqipëria kishte një opozitë. Sot MUNGON SHPRESA! Ajo çka artikulohet haptaz e nën zë është se “këta (Partia Demokratike pra) janë përgatitur për opozitë të gjatë”.

Rezultati i zgjedhjeve të 21 qershorit u lexua në forma nga më të ndyshmet. Por pakkush (për të mos thënë askush) tha një të vërtetë të madhe që qarkullon në popull: “Mirë këta janë m*** , po kujt t’ia japim votën?” Ndaj dhe “rezultati i shkëlqyeshëm” që më pas doli i vjedhur, nuk u ngrit siç i takonte mbi atij të 2013 – shit. Përveç shpresës, “populli i ri opozitar” nuk bëhet fjalë të ketë besimin. Sepse kryetari i ri bashkë me kryesinë që e rrethon, nuk ta frymëzon këtë besim. Për të mos thënë të kundërtën.

PSE?

Sepse vjet më 22 nëntor, pas një proteste masive popullore, në vend që opozita të thërriste të tjera, i ndërpreu çuditshëm ato. Sepse dy javë pas kësaj proteste Basha priti në PD “bamirësin” Xhorxh Soros, të cilit , në vend t’i tregonte – ta zemë – se sa i varfër është ky popull, pra siç mund të flitej me një bamirës, kryetari i opozitës e vendosi në pozicionin e një përfaqësuesi të institucioneve ndërkombëtare , tip Knut Fleckenstein a Eduard Kukan duke iu qarë politikisht se “Shqipëria kërcënohet nga nga kursi antidemokratik i dyshes Rama-Meta, e cila është në kërkim të pushtetit absolut. Hapësirat institucionale për opozitën janë ngushtuar”. Por që nga ajo ditë dhjetori deri më sot ky kryetar nuk ka ndërmarrë asnjë aksion serioz të opozitës për të ndaluar kursin antidemokratik të dyshes në pushtet dhe as për zgjerimin e hapsirave të ngushtuara të opozitës. Pak ditë para vizitës së Soros PD bëri zgjedhje. Më të çuditshmet! A e dini se nga zgjedhjet në parti u ndaluan të garojnë njerëzit e votuar? Pra kryetarë komunash për shembull, që falë punës së tyre i kanë dhënë pushtetin vendor dhe atë politik demokratëve, nuk patën të drejtë të futen në garë! …kjo PËR TË SJELLË TË RINJTË.

Kush nuk e do rininë në parti…po kë rini? Atë që as sot e kësaj dite nuk ka një forum rinor funksional? Që ende me letra ka kryetar të ndjerin Sokol Olldashi e ka vite që nuk bën zgjedhje? “të vijë rinia” nënkuptoi ..ose më saktë tha shqeto “TË IKIN TË VJETRIT”. Kishte prej tyre që mbanin përgjegjësi për humbjen e pushtetit dhe për mëkate të tjera. Por tek “të vjetrit” ka plot të rinj që janë ADN demokratëve, që kanë dhënë pa marrë, që më shumë kanë vuajtur se janë shpërblyer dhe , kryesorja, janë aty se kanë 25 vjet prova dhe kontribute. Në dhjetor këta u përjashtuan nga përfaqësimi në kryesinë e re me “të rinj”, një pjesë e mirë e këtyre të fundit, që vinin nga hiçi.

U shtrëngova një hop të mendoj se me përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie më fort se pushtetin kryetari donte forcimin dhe konsolidimin e partisë. Por ky qe zhgënjim deri në kufijtë e dyshimit. Ta zemë Durrësi. Mirë që kandidatja humbi keqas, por më keqja është përçarja dhe shkërrmoqja më dramatike e strukturave të partisë…

TË IKIN TË VJETRIT

Pra “babi”. Ai që e përndjek që nga batuta e fitimtarit Rama “do t’i japim shansin edhe PD-së të rilindë” e deri tek ngacmimet publike të gjithkujt për “kryetarin de jure, se de fakto është ai tjetri”. E natyrisht që “ai tjetri” dhe jo kryetari i PD-së ka dy vjet që goditet me të gjitha armët, nga të gjitha drejtimet e nga të gjitha gradat: që nga foltorja e kuvendit dhe e kryeministrit, tek gazetat dhe emisionet publikisht pro pushtetit. Kjo për arsyen se Berisha mbetet i vetmi personalitet i rëndësishëm sot që mban gjallë opozitarizmin dhe shpresën. Është i vetmi i vëmendshëm dhe hazërxhevap ndaj çdo ngjarjeje dhe lëvizjeje të pushtetit. Nëse i mbyllet goja atij, fiket kandili i fundit i shpresës për gjithë “të vjetrit” opozitarë të cilëve e vetmja rrugë u mbetet ose kurbeti ose të ulin kokën e të gjejnë ndonjë fije kashte për t’u kapur në qerren e pushtetit.

PSE THEM “PD PO SHKON DREJT PIKËS PA RIKTHIM”

Sepse grykave të zjarrit që shtijnë nga gjithë anët me batare 24/24 orë, iu shtua “fuqishëm” edhe ai që në terma të ushtrisë amerikane quhet “zjarri mik”. “Bam”! ia bëri nga frëngjia një gazete një njeri nga ata pranë Bashës. Natyrisht që balli i Berishës është i frikshëm për t’u marrë shenjë, sidomos nga këta, por “shtiu” mbi zonjën Topalli duke ia veshur asaj “berishizmin”. Dhe ajo që mund të quhet “pushka t’u bëftë top” qe titulli dhe mbyllja. Tek të dyja autori udhëzonte qindra mijë demokratë shqiptarë që “Atyre që kërkojnë një opozitë tjetër, ndoshta u duhet dhënë mundësia për një parti të tyren.”

Jo rrallë ka ndodhur që kollovari, kur nis e i ngrohen allatet, i vjen qejf të bëhet zot shtëpie. I ndodhi edhe Ramës një herë e në një kohë. Por në ndryshim të qartë me Bashën, Edi Rama ka një meritë të jashtëzakonshme se çdo ind të pushtetit të tij sot e ka thurur me dorën e tij, se shpesh ka shkuar në fund të humnerës por me thonj e me dhëmbë ia ka dalë të ngjitet në krye, se ka punuar derrçe dhe , na pëlqen apo jo, është lider në formim dhe është sjellë si lider qysh herët. Ndërsa “djali i mirë” Basha të vetmen betejë që udhëhoqi vet e humbi masivisht, duke i dhuruar këtij pushteti moralin për të fituar edhe zgjedhjet e ardhshme. Sot, me formulën tipike “as të zë as të lëshon” kryetari – që po tregoka se nuk qenka ai “me letra”, por edhe “de facto” -nxjerr njërin nga shpurra që të hedhë gurin e t’u tregojë derën demokratëve për në një parti tjetër (?!) BRAVO ÇUNA!

E përsëris që e kanë kërkuar sa të duash largimin e Berishës nga PD, nga politika, futjen në burg etj etj. Por e shkruar nga dora e djathtë e kryetarit të PD, tashmë ka tjetër formë e tjetër përmbajtje. As protestat e premtuara për pasplazhit e as rrëzimi i premtuar i qeverisë nuk kanë kuptim pa u sqaruar si fillim kjo histori: E ka seriozisht Basha që do të nxjerrë “berishizmin” e për rrjedhim ndjekësit e Sali Berishës nga Partia Demokratike apo është një lajthitje e njërit prej të tijve, në emër të lirës së mendimit dhe shprehjes? Po aq kryesore; nëse “të rinjtë” kanë flakur tej “të vjetrën”, ç’lloj opozite na premtojnë, meqë edhe bamirësit Xhorxh Soros për ato që flet Berisha i janë ankuar: për kursin antidemokratik të Ramës me Metën, “në kërkim të pushtetit absolut” dhe “për ngushtim të hapsirave të opozitës”. Tek e fundit, këto zgjedhje, edhe pse u punua çuditshëm, për të mos thënë edhe mbrapsh, PD mori po votat e ditës më të keqe të saj, në 2013, kur kryetar ishte Sali Berisha. Pra ata janë sërish. Duhet të ikin e të krijojnë parti tjetër apo të ndryshojnë mendim?

Berisha, si politikani më i vjetër dhe më me përvojë në vend ka zgjedhur të qëndrojë i heshtur dhe butë në vatrën e tij. Mbase as një shkrim si ai nga vatha e kryetarit të sotëm nuk do t’ia prishë drejtpeshimin. Ama po duket se “çunat” u rritën dhe nuk do rrinë më rehat. Ndaj mesa po shoh nuk është e largët ora kur ish kryeministri dhe ish kryetari i demokratëve të ngrihet , të marrë stapin e ta ndajë shapin nga sheqerija