Rreth 2 milionë dollarë fonde janë rialokuar nga Ministria e Bujqësisë gjatë muajit tetor. Ato i janë shtuar shpenzimeve kapitale në përmirësimin e infrastrukturave të kullimit e ujitjes, por problemi është se fondet e shtuara për investime, janë hequr nga programe shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore apo informacionin mbi produktet.

Përmes një vendimi që mban datën 9.10.2018, Ministria e Bujqësisë, në programin buxhetor “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” ka shtuar fondin prej 165 000 000 lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale” dhe 28.9 milionë lekësh në “Shpenzime korrente”.

Por nga janë zbritur këto fonde? Duke konsultuar vendimin rezulton se në programin buxhetor “Zhvillimi rural” pakësohet fondi prej 165 milionë lekësh në zërin “Shpenzime kapitale” dhe prej 864 mijë lekësh në “Shpenzime korrente”. Ndërkohë që po ashtu, në programin buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, pakësohet fondi prej 21 milionë lekësh në zërin “Shpenzime korrente”. Programi buxhetor “Këshillimi dhe informacioni bujqësor” është një tjetër zë që tkurret në emër të investimeve në infrastrukturë, fondi i të cili pakësohet me 7.1 milionë lekë.