kredite
Tre të arrestuarit, për mashtrimin me kreditë në Tiranë, treguan në prokurori se paguan ryshfet për drejtorët e bankave. Dyshohet se 30% e shumës që u lëvrua në formën e kredisë, iu dha drejtorëve, thanë të arrestuarit gjatë marrjes në pyetje. Ky është dhe shpjegimi, sesi Paulin Aliaj, Elisabeta Imeraliaj dhe Edison Nuzi morën 6 kredi njëra pas tjetrës, megjithëse nuk kishin paguar asnjë këst në bankë. Dyshimet janë se drejtorët e bankave të nivelit të dytë pranuan dokumentet false në 6 raste të ndryshme. Fakti që nuk paguan asnjë këst, u bë shkak për kontrollin e dosjeve, që rezultuan të falsifikuara. Kreditë mësohet se janë marrë në pesë banka të ndryshme. Denoncimi në polici u krye nga vetë personeli i bankave. Panorama raporton se prokuroria kërkoi nga bankat një listë me kreditë e dhëna, për të cilat nuk është paguar asnjë këst.