rama-arsimi-6-mars-2014-300x300
Ka disa ditë që kryeministri Rama i është rikthyer debatit për reformën në arsim. Ai po i intensifikon deklaratat pikërisht tani kur fazat e stërgjata të regjistrimeve kanë përfunduar dhe ku në shumë degë kanë mbetur vende bosh.

Kryeministri po e vendos theksin tek nota mestare. “Nuk mund të bëhet jurist një që ka qenë ngelës në shkollë të mesme. Sot bëhet një debat qesharak a duhet a s’duhet që një ngelës në të mesme të marrë diplomë, tha në një shkollë profesonale sot. Këtë e përmendi edhe me disa fermerë dje.

“A e mbani mend se kush shkonte në shkollë të lartë dikur? A e mendonit atëherë dikë me mesatare 6 të hynte në universitet?” u tha ai pedagogëve të Universitetit Bujqësor paradite.

Por debati që prodhoi dështimi i reformës në arsim nuk ishte mesatarja dhe as nëse duhet të marrë diplomë apo jo një nxënës i dobët i gjimnazit.

Asnjë maturant nuk ankua për mesataren. Asnjë nga ata me mestaren nën 6 nuk protestoi se u la jashtë dyerve të universiteteve.

Në protestë u ngritën ata që kishin mesatare 8, 9 apo 10 dhe nuk u futën në universitete në raundin e parë. Shumë prej tyre nuk u regjistruan dot edhe në të dytin. “Frika se do ta humbisnin përfundimisht shkollën e lartë i orientoi shumë prej tyre drejt universiteteve pritave”, thuhet në disa qëndrime të opozitës për këtë çështje.

Që nga aplikimi deri në regjistrim maturantëve u janë dashur plot 3 muaj. Aplikimi nisi me 1 gusht. Më 6 shtator u shpallën fituesit e parë dhe vetëm sot janë mbyllur regjistrimet, të cilat, sipas udhëzimit fillestar të Ministrisë së Arsimit duhet të kishin përfunduar më 22 tetor.

Shtyrja me 10 ditë erdhi pikërisht nga kaosi që shkaktoi sistemi.

Në fazën e parë maturantët e ekselencës u shpallën fitues në disa degë. Vendet e lëna bosh prej tyre nuk u zunë nga maturantët që vinin menjëherë pas tyre, sepse ata u shpallën fitues në degë të tjera dytësore dhe nuk patën mundësi të çregjistroheshin. Në vend të tyre u regjistruan maturantë me mesatare më të ulët që nuk hoqën dorë nga degët duke luajtur kështu me fatin.

Kjo pasiguri që u krijoi sistemi maturantëve ishte thelbi i problemit dhe jo mestarja, siç po trumbeton këto ditë kryeministri në përpjekje për t’u thënë qytetarëve se ai kishte të drejtë dhe jo të rinjtë që protestuan para dyerve të kryeministrisë.

Ky kaos që shkaktoi sistemi me aplikimet dhe regjistrimet ka bërë sot që shumë degë të mos kenë studentë dhe të rrezikojnë të mbyllen ose të kenë një numër të pëpërfillshë. Kuotat nuk janë plotësuar në farmaci, arkitekturë apo gazetari.

Shumë prej atyre që kishin aplikuar në fazën e parë në këto degë dhe nuk fituan nuk iu kthyen aplikimit në fazën e dytë vetëm nga frika se do të mbeteshin jashtë. Ky sistem dëmtoi edhe universitetet me kuota të paplotësuara, pasi ata do të kenë ulje të buxhetit.