Në prag të sektorit turistik, Agjencia Europiane e mjedisit ka publikuar raportin e cilësisë së plazheve. Të dhënat i referohen vitit 2018, por tregojnë se çfarë pritet nga viti aktual. Shqipëria evidentohet të ketë bërë një progres të ndjeshëm, por se pavarësisht këtij progresi mbetet një ndër vendet me rezultatin më të dobët në Europë.

Raporti, veç vendeve të Bashkimit Europian merr në analizë vetëm Shqipërinë dhe Zvicrën. Të dhënat tregojnë se në vendin tonë, vetëm 62% e plazheve, ose 67 në total,  kanë cilësi të shkëlqyer të ujit, dhe siç duket qartë edhe nga ilustrimi, kjo është një ndër normat më të ulëta në Europë. Ndër vendet me të cilat Shqipëria mund të konkurrojë, është padiskutim e fundit. Gjithsesi, në raport evidentohet progresi që ka bërë vendi ynë gjatë viteve të fundit. Në raportin aktual, 10 plazhe, ose 9.3% e tyre, vlerësohen si me cilësi mjaft të dobët të ujit. Në raportin e kaluar, kjo normë ishte 2.5 pikë përqindje më e lartë. Në 2015 ndërkohë, kjo normë fiksohej në 39.1%, ose 31 plazhe.

Ky përmirësim drastik, thotë Agjencia Europiane e Mjedisit mund të lidhet me 5 impiantet e trajtimit të ujërave të ndërtuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Gjithsesi, mesatarja europiane fiksohet në 1.4%. Kështu, në vendin tonë, sipas të dhënave, 62% e plazheve klasifikohen si me ujë mjaft të pastër, 18.5% si me cilësi të mirë, 4.6% me cilësi të mjaftueshme dhe 9.3% me cilësi mjaft të dobët.