83_0

“Shqiptarët marrin makinën për të blerë bukë, marrin makinën kur dalin për të pirë kafe. Atëherë, nëse do marrësh makinën, do paguash! Njësoj siç paguan në Romë apo në Athinë!”ishte përgjigjia e kryebashkiakut Erion Veliaj për të gjithë qytetarët e pakënaqur me tarifën e parkingjeve në Tiranë. Përveç kësaj, Veliaj mori si shembull të fortët e lagjeve, që dikur vendosnin arka apo goma në rrugë duke zënë vendet e parkingut. “Për 4 mijë vende i paguanit lekët tek të fortët e lagjeve, pra lekët paguheshin për xhepat e vandalëve, që thonin“Që kur dola nga burgu, kam zënë këtë vendin këtu” çfarë nuk kam dëgjuar” u shpreh Veliaj, sipas të cilit, është më mirë që paratë të shkojnë në buxhetin e Bashkisë.

Deklaratat u bënë në një aktivitet me punonjësit e “Tirana Parking”, ku kreu i Bashkisë tha se paratë që fitohen nga tarifat e parkingjeve do të përdoren për të blerë 2 milion pemët e “Pyllit orbital”, projekti i parashikuar në planin urbanistik. Përveç pemëve, Veliaj tha se me paratë e tarifave të parkingjeve është bërë edhe Rruga e Kosovarëve pranë Liqenit Artificial.