tom-doshi-gjykate_0
Gjykata e Lartë shtyu për të hënën e ardhshme seancën për shqyrtimin e kërkesës së Tom Doshit për ndryshimin e masës së sigurisë. Shkak për këtë u bë mungesa e dy gjyqtarëve të përzgjedhur dje me anë të shortit. Avokatët mbrojtës të deputetit Doshi thanë se kishin kërkuar në Gjykatën e Lartë, që në këtë rast luan edhe rolin e Gjykatës së Apelit, lirimin e Doshit nga masa e arrestit shtëpiak. Sipas tyre, akuzat ndaj Doshit kanë rënë, pasi nuk është gjetur asnjë provë që të vërtetojë pretendimet e Durim Bamit se është kërcënuar nga Doshi. 36 -vjeçari nga Fushë Kruja, Durim Bami, ka deklaruar në prokurori se dëshminë para kameras ku fliste për një atentat kundër Tom Doshit, të udhëruar nga Ilir Meta, ai e kishte bërë nën kërcënimin e deputetit. Por në kompjuterin e Doshit nuk u gjet asnjë video apo provë tjetër që vërtetonte se Bami ishte kërcënuar.