Pavarësisht faktit se shqiptarët janë turistë të rregullt drejt fqinjëve të Malit të Zi, të dhënat zyrtare nga ky vend, tregojnë se, si vizitorë hotelesh dhe resortesh si dhe netësh qëndrimi, nuk janë aspak ndër të parët në listë. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar shqiptarët që qëndruan nëpër hotele ishin 38.281, shumë më pak se vendet që qëndrojnë në krye të listës. Këta të fundit numërojnë 73.804 netë qëndrimi nëpër hotele, resorte apo shtëpi pritëse, çka përkthehet në vetëm 1.93 netë qëndrimi mesatar në vend. Vitin paraardhës, ishin 56 mijë shqiptarët që qëndruan në struktura akomoduese te fqinjët, për 214 mijë netë qëndrimi.

Pra, kemi të bëjmë me një rënie të turistëve nëpër hotele me 47%, si dhe uljen e netëve mesatare të qëndrimit, nga 3.8 netë në 1.93, pra në rënie me 102%. Ndërkohë që shqiptarët janë të dytët në rajon pas Serbisë sa i përket vizitave në Mal të Zi nëpër struktura akomoduese, ata janë të fundit në rajon sa i përket netëve të qëndrimit. Kjo, ndoshta është edhe rrjedhojë e drejtpërdrejtë e afërsisë më të madhe që kemi me fqinjët, se sa vendet e tjera të rajonit.

Vetëm gjatë Dhjetorit që sapo lamë pas, vizitat nëpër hotele numërohen për rreth 5500 shqiptarë. Kjo do të thotë se, gjatë muajve të dimrit ata zënë thuajse ¼ e të huajve që qëndrojnë në vend, ose më saktë 23%. Gjatë muajve të verës ndërkohë, shqiptarët zënë vetëm 1-2% të të huajve. Kjo tregon qartë se Mali i Zi mes shqiptarëve është i preferuar për turizmin dimëror dhe dëborën, pasi shfrytëzojnë afërsinë si dhe kostot e ulëta.