Në 24 orët e fundit vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur me Sars-Cov2 në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera rezultojnë pa raste të reja. Janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.

Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit.

Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë jane transferuar në spitalin infektiv. Nderkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend. Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.