Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi shpreh shqetësimin lidhur me situatën e përmbytjeve në këtë bashki, ku rol kryesor kanë shkarkimet e hidrocentraleve.

“Në Anën e Malit janë 900 ha tokë të përmbytura dhe ka rritje të ujit në toka e rrugë deri në 30-50 cm. E njëjta situatë edhe në njësinë Dajç, situata është përkeqësuar. Nga lumenjtë ka një rritje prej 25-30 cm. Në Dajç ska furnizim me energji elektrike” – u shpreh Ademi.

Sipas IGJEUM, situata e parashikuar paraqitet e vështirë, që do thotë se lumenjtë do kenë prurje të larta sidomos në veri dhe kjo edhe me shkrirjen e borës dhe reshjeve.

Kryebashkiakja tha se situata varet vetëm nga shkarkimet në kaskadën e Drinit.

“Në zonën e Nën-Shkodres pritet që rreziku i përmbytjeve të jetë më i madh. Më 8 mars pritet që të jetë situata më e vështire. i kërkoj prefektit të mbledhë komisionin e emergjencave në menyrë urgjente dhe të analizohet situata e rëndë e krijuar kjo bazuar nga situata reale nga terreni dhe jo raportime fiktive siç ka ndodhur deri tani. Kërkoj shpalljen e emergjencave për Bashkinë Shkodër aty ku ka përmbytje” –u shpreh Voltana Ademi.