Kryeministria është blinduar nga forcat e rendit, por përveç numrit të madh të efektivëve që do e mbrojnë, dyert e Kryeministrisë janë salduar me llamarina. Mbrëmjen e kaluar si dyert e Kryeministrisë ashtu edhe streha në hyrjen nga Bulevardi janë salduar me llamarina për të mos u dëmtuar në rast të një sulmi nga protestuesit.

Partia Demokratike ka kërkuar leje 48 orë për zhvillimin e protestës.

Forcat e policisë janë vendosur në dy anët e Kryeministrisë. Makinat, blindat e autobotet janë në pjesën e prapme të Kryeministrisë.
E gjithë pjesa e lulishtes pranë Kryeministrisë është e rrethuar. Po kështu mësohet se në të gjitha shtyllat e ndriçimit në Bulevard janë vendosur kamera sigurie me rezolucion të lartë për të filmuar protestën dhe për të identifikuar ata që mund të kryejnë veprime të dhunshme.