Shqipëria rezulton të jetë ndër vendet me nivelin më të ulët të taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë, me përjashtim të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Norma në fjalë i referohet vetëm të ardhurave të mbledhura nga taksat dhe kontributet, dhe jo masës së taksave.

Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se, norma e taksave së bashku me kontributet shoqërore neto, përbëjnë 40.2% të PBB mesatarisht në vendet e Bashkimit Europian. Në Shqipëri ndërkohë, kjo normë fiksohet në 25.4%, sipas së njëjtës metodologji të përdorur nga Eurostat.

Kjo do të thotë se, Shqipëria, po të ishte pjesë e listës së vendeve të analizuara nga Eurostat, do të ishte e parafundit. Vetëm Irlanda me 23.5% ka një normë më të ulët se vendi ynë në këtë renditje. Por, norma e ulët e taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto duket se nuk ka të bëjë detyrimisht me nivelin e taksave, por në një pjesë të madhe edhe masën mjaft të vogël të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në vend të parë, qëndron Franca, me një normë në 48%. Franca nuk është vetëm një prej vendeve me taksat më të larta në Europë, pro edhe ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, pas Gjermanisë. Niveli i mbledhjes së të ardhurave në vendin tonë ka qenë një problematikë e hershme, për të cilën kanë apeluar vazhdimisht institucionet ndërkombëtare, me në krye Fondin Monetar Ndërkombëtar.