Komisioni i Ekonomisë rrëzoi dekretin e Presidentit, Ilir Meta për buxhetin 2019. I pranishëm në Komision ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se Meta duhet të ndërhyjë për dialogun me studentët.

“Buxheti i vitit 2019 ka të gjitha mundësitë që të furnizojë kërkesat e studentëve. Sot, studentët kanë aleat vetëm qeverinë. Dekreti i Metës, pa asnjë detaj për arsimin. Meta të ndërhyjë për dialog me studentët, kjo është zgjidhja”, u shpreh ai.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Kreu i Shtetit ka kthyer ligjin për buxhetin e 2019 serish në Kuvend. Kjo lëvizje e Metës vjen si një mundësi për plotësimit të kërkesave të studentëve që lidhen direkt me buxhetin adresuar për ta.

“Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, thuhej në njoftimin e presidentit.