Policia Bashkiake dhe IKMT, kanë rrethuar sot një pallat në lagjen nr.7 në Durrës, ku dhe u kërkojnë banorëve të dalin jashtë, pasi pallati është i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, dhe do të shembet. Banorët shprehen se nuk ishin njoftuar më herët, ndërsa vijojnë të kundërshtojnë braktisjen e banesave.

Mësohet se vendimi për shembjen e këtij pallati është marrë nga Këshilli Bashkiak më 23 prill 2020. Fillimisht ishte raportuar se pallati në fjalë do të rikonstruktohej. Krejt papritur para dy ditësh, banorëve u ka ardhur vendimi për shembjen e pallatit.

Në krye të Policisë Bashkiake dhe IKMT, ka qenë Arbër Braho nënkryetari i bashkisë, i cili ju tha banorëve të dalin jashtë shtëpive në mënyrë urgjente. Raportohet se pallati është vlerësuar me dëme ‘DS3’ në mure.

Banorët u kanë kërkuar punonjësve një dokument për arsyen e daljes dhe të prishjes së pallatit të tyre, por veçse prezencës, punonjësit e shtetit nuk kanë sjellë asnjë letër. Kryetarja e bashkisë, Emirjana Sako zhvilloi një takim me një përfaqësi të banorëve të cilëve ju tha se vendimi për prishje është marrë nga Këshilli Bashkiak, dhe rindërtimi pritet të nisë së shpejti.

Mediat raportojë se ka edhe zyrtarë të lartë që janë banorë të këtij pallati.