Prof. dr. Bajram Xhafa

13 Dhjetori është i Shkodrës, lidhet me Shkodrën, me fillimet e demokracisë; është i Lëvizjes Studentore të Institutit të Lartë Pedagogjik të këtij qyteti dhe i shkodranëve antikomunistë. Nuk ka dyshim se ajo ka lidhje me ngjarjet e dhjetorit në Tiranë, me mitingun e madh në qytetin Studenti që solli edhe shpalljen e pluralizmit politik. Sa herë vjen kjo datë, një peng nderi e borxhi, përgjegjësie moralo-qytetare, e, edhe profesionale më vë para vetkritikës për një punë të pakryer: hedhja në letër e disa prej kujtimeve për 13 dhjetorin e 1990-s, të asaj date ku kam qenë jo vetëm dëshmitar okular, por edhe protagonist. Eshtë thirrje për të kujtuar, për të mos harruar, thirrje për refleksion. Çdo fillim është mbresëlënës, por kur fillimi është i MADH, kur ai shënon një kthesë historike për popullin e për kombin, puna është tjetërsoj, ai (Fillim) bëhet pjesë e një epoke.

Dhjetori i 1990-s është më shumë se gur qosheje në ndërtesën-kështjellë të historisë kombëtare në përgjithësi e të demokracisë shqiptare në veçanti. Vitet rrjedhin e ikin me të shpejtë, si ujët. Ndaj dhe regjistrimi i tij është detyrim; ruajtja e kujtesës është trashëgimi, është amanet, është dhe testament. Aq më tepër bëhet urdhëruese po të kemi parasysh se të tjera ngjarje të rënda e dramatike fati historik i kishte rezervuar Shqipërisë sonë sa me e “harrue” atë të kohës së madhe, kryesoren, epokalen, ndarjen nga diktaturura që dukej si e ngrirë, e fosilizuar, me rrënjë të thella, të thuash “përjetësisht”.

Në vitet e stuhishme të fillimeve të Lëvizjes demokratike s’pushonim së zbrazuri thesin e mbingarkuar me mbresat për Dhjetorin e ’90-s; për 8 e 13 dhjetorin, teksa shkonim nga një vend në tjetrin për të bërë “zgjimin” demokratik dhe nacional. I tregonim dhe i ritregonim plot zell dhe emocion ndodhitë e atyre ditëve dhe kjo e mbante të freskët edhe kujtesën për ato ngjarje të papërsëritshme. Por si në çdo gjë, koha bën efektin konsumues, gërryes, mbase dhe lodhja, mbase…çdo gjë pëson firo. Verba Volant (fjalët i merr era) ka thënë latini. E shkruara mbetet, përndryshe, fshihet. Sa nuk është krejt vonë, sa ende koha nuk e ka kërrusur kujtesën, vendosa që një pjesë të atyre përshtypjeve t’i hedh në letër, pa pritur në ndonjë aftësim të mëtejshëm letraresk.

Njeriu e shpiku shkrimin i shtyrë nga nevoja për të ruajtur kujtesën, për të transmetuar përvojën, për të zënë e për tu përcjellur brezave mendjen. Zaten me daljen e shkrimit fillon historia e qytetërimit të mirëfilltë, aq sa shumë historianë pikërisht aty, me daljen e shkrimit e fillojnë edhe historinë e shoqërisë njerëzore. Shqiptarët “trashëgojnë” si mungesë të pariparueshme historinë e tyre të shkruar nga vetë ata, kur mund dhe duhej të ishin të parët në këtë fushë të qytetërimit. I vinte plasje Samiut (dhe jo vetëm atij) për mungesën e dëshmive të shqipes së shkruar qysh në lashtësi dhe për këtë kritikon Ptolemenjtë “q’ishin fjeshtë nga Çamëria, që zgjuan dituritë e gjuhën e greqvet n’Aleksandrie e nuk menduan edhe njëherë për gjuhën e tyre, t’i bënin një palë shkronja”. Një peng madh i shkencës e kulturës shqiptare dhe objekt kërkimi për ta edhe sot e në të ardhmen. Kur vret veten me dorën tënde, nuk ke se kujt t’ia kërkosh gjakun, më thoshte me gjuhën e kanunit legalisti e mbretërori kol. Xhemal Laçi i kthyer nga mërgimi i gjatë politik në vitin 1992, për ata që nuk shkruajnë historinë dhe luftërat e tyre, teksa më tregonte për ngjarje të rëndësishme të veprimtarisë antifashiste e nacionaliste të Legalitetit gjatë dhe pas Luftës, por që kishin mbetur të pashkruara. Të mos shkruash historinë tënde do të thotë të shkosh gjakhumbur, do të thotë të jeshë vulëhumbur. Kështu ndodh edhe me kombet. Scripta manent – e shkruara mbetet.

*             *             *

Era e ndryshimeve (Wind of Change)

Të hyjmë në temë. Ngjarjet e dhjetorit 1990 në Shkodër nuk qenë të papritura, nuk ranë nga qielli. Erërat e Revolucionit Demokratik Antikomunist përfshinë vrullshëm ish vendet komuniste (revizioniste, siç i quante atëherë propaganda jonë zyrtare) të Evropës Lindore e Qendrore duke shpënë deri në ekzekutim diktatorësh. Çaushesku ishte shembulli më i bujshëm. E gjithë kjo periudhë revolucionesh demokratike që shënuan rënien e diktaturave totalitare komuniste dhe kalimin në sistemin politik pluralist në vendet ish komuniste të Evropës Qendrore e Lindore në mënyrë figurative e me gjuhë gazetareske u etiketua “Era e Ndryshimeve” (Wind of Change). Shqipëria jonë nuk mund të bënte përjashtim. Por Shqipëria gjithmonë e vonuar, nolens-volens (dashje pa dashje), …“rast i veçantë”(!). Xhindër të fuqishëm të politikës globale e rajonale e mbanin shtërngueshëm në kthetra të forta në gjëndje statike (“status- quo” diktatoriale).

Në vitet ’70-’80-të propaganda komuniste kandiste mëndjen e ndonjë të huaji për rrugën krejt të veçantë e “të çuditshme” të Shqipërisë socialiste, kuptohet, marksiste-leniniste, për “suksesin” e ndërtimit të socializmit jo vetëm në një vend të vetëm, por edhe të vogël si yni dhe ata pastaj, të “habitur” shpreheshin për këtë “mrekulli” tokësore të cilin e etiketonin si fenomeni shqiptar. U krijua stereotipi propagandistik se Shqipëria e Enver Hoxhës ishte modeli ideal i zhvillimit të shoqërisë, si vendi më me pak probleme e më me pak kontradikta. Edhe ato kontradikta që pranoheshin, quheshin joantagoniste. Shqipëria ishte krejt e veçantë, origjinale, unikale. Në atë “epokë” ajo vërtet ishte unikale, por në sensin e kundërt, si vendi ku shtypja ishte më e egër, me problemet më të shumta e më të mëdha, si vendi me kontradiktat më të thella e më të ngatërruara. Shqipëria ishte unikale në diktaturë. Dhe kjo bëhej për të kënaqur fqinjët tanë e për të mos u nxjerrë punë të mëdhenjëve.

Aty nga fundi i 1989-s nëpër rrugët e Shkodrës apo në ndonjë kafene dëgjoheshin dy vargjet e para të asaj këngës së njohur të kohës së Rilindjes “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”. Kurrë ndonjëherë më parë, mbase as edhe në kohën kur kishte dalë për herë të parë ajo këngë nuk ngjiste aq shumë e nuk tingëllonte aq therëse. Ishte një thirrje e hapur për rebelim, por për të nuk mund të akuzoje apo të arrestoje kënd, pavarësisht se ishte e qartë se bëhej fjalë për robërinë aktuale.

Më 14 janar 1990 në Shkodër urrejtja shpërtheu hapur. Bëhet përpjekja e parë për heqjen e bustit të Stalinit-një masë e ngjeshur çimentoje me trajtë antropomorfe vendosur në qendër të qytetit, ashtu siç ishte edhe në qendër të Tiranës (madje në Tiranë kishte dy shtatore monumentale të Stalinit, njëri në mes të kryeqytetit, tjetri në sheshin e kombinatit që mbante emrin e tij) dhe të disa qyteteve të tjera, njëri prej të cilëve ishte pagëzuar edhe me emrin e tij: Qyteti Stalin – ish Kuçova). Një emër i huazuar nga një metal i ftohtë i temperuar, ardhur nga një vend edhe më i ftohtë dhe nga një ideologji e akulltë super e ftohtë, kalk i mbivendosur një emri autentik (Josif Vosarionoviç Xhugashvili ka qenë emri i origjinës i Stalinit, nga një fshat i Gjeorgjisë). Ky emër që përbënte njërin ndër katër klasikët e marksizmit të njohur zyrtarisht në Shqipëri, të detyrueshëm për adhurim, kishte shtyrë dhe fshirë emrat e bijve në zë të këtij populli që jetonte “i lirë” në tokën e vet, ndërtonte socializmin sipas modelit stalinist dhe adhuronte “perëndi” të rrejshme që ja kishin kërrusur, nxirë e tharë trupin dhe shpirtin.

Brahim Bilali nga lagjja Kiras, pjesëmarrës në përpjekjen për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër kujton disa nga emrat e këtij aksioni: Dedë Kasneci, Flamur Elbasani, Tonin Dema, Gjergj Livadhi, etj. Siç duket këta “harruan” se diktatura ishte në këmbë. Dënime të rënda u dhanë për ata që zgjatën dorën mbi idhullin që nuk e njihnin si të tillë as në vendin e vet prej nga edhe e kishin dëbuar dhe bërë lanet. Për këtë veprim “kundërrevolucionar” u thirrën në degën e punëve të brendshme mbi 600 vetë; një pjesë e tyre u thirrën në hetuesi mbi 18 herë dhe kanë marrë dënime që shkonin nga 3-12 vjet burg. Politikë drastike për mbrojtjen e monumenteve si në mesjetën e hershme në kohën e lëvizjes ikonoklaste në Perandorinë Bizantine.

Akulli u thye. Më 16 qershor 1990 në Shkodër u zhvillua demonstrata për të vrarët në kufi. Madje kjo u njoh si dita për të vrarët në kufi.

Diktatura ishte e ndjeshme për shfaqjen më të vogël që nuk i shkonte për mideje. Një grup veprimtarësh shkodranë kishte menduar ta bënte ndryshe “nxemjen” për lëvizjen demokratike. Sulmin kundër diktaturës e filluan me “krahëmarrje”, me lëvizjen për hapjen e kishës dhe të xhamisë dhe rivendosjen e lirisë fetare. Diktatura e kishte shpallur fenë armike të socializmit. Ajo konsiderohej shfaqje e ideologjisë reaksionare dhe pjesë e supertrukturës ideologjike të shoqërisë së vjetër të përmbysur nga pushteti popullor (kinse). Kushtetuta e 1976 njihte marksizëm-leninzmin, një doktrinë e importuar dhe e imponuar, si ideologjia e vetme e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Përtej këtij caku, çdo gjë ishte e dënueshme.

Nga të dy komunitetet fetare në Shkodër, ai mysliman dhe ai katolik u krijuan komisione për organizimin e veprimtarive fetare. Veprimtaria do të fillonte me organizimin e ceremonive fetare për lutje. Meqenëse lutjet nuk mund të bëheshin në të njëjtën ditë, u vendos që ditën e diel, me 11 nëntor të jepej mesha për katolikët, ndërsa për myslimanët do të organizohej falja e xhumasë ditën e premte me 16 nëntor. Të dy komunitetet do të merrnin pjesë në veprimtaritë e njëra tjetrës.

Mesha e parë pas vitit 1967 e drejtuar nga dom Simon Jubani u organizua më 11 nëntor 1990 në kishën e vogël (kapelë) tek Vorret e Rrmajt. Prifti që jepte meshë sapo kishte dalë nga një proces i gjatë “riedukimi” e kalitjeje “revolucionare” në burgjet komuniste. Ishte sugjestionuese të shihje në atë ceremoni të merrte pjesë gjithë qyteti, burra, gra e fëmijë nga të dy besimet. Të gjithë kishin shkuar atje si në pelegrinazh. Një solidaritet i mrekullueshëm për lirinë. Mesazhi ishte i qartë: Zoti ishte i përbashkët. Zoti ishte mbi partinë, edhe mbi atë më të frikshmen.

Për myslimanët falja e xhumasë u organizua më 16 nëntor në Xhaminë e Plumbit në lagjen Tabake. Ishte xhamia e vjetër 217 vjeçare, ndërtuar qysh në kohën e Mehmet pashë Plakut (Bushatlliut). Edhe pse monument kulture, minareja i ishte hequr dhe plumbi (nga kishte marrë dhe emrin) që mbulonte kupolën e saj i ishte zhveshur gjatë revolucionarizimit të mëtejshëm të jetës së vendit pas 1967-s. Në falje si imam printe Hafiz Sabri Koçi, edhe ky pasi i kishte mbijetuar “brezit të kalitjes revolucionare” në hapsanat komuniste në një proces të gjatë riedukimi. Po aq sugjestionuese ishte edhe pamja e asaj dite. Gjithë qyteti dhe fshatrat përreth u ngritën e shkuan në miting, mbase shumë prej tyre jo aq për ndjesi besimi se sa për respekt e solidaritet vëllazëror. Kodrat e Tepes dhe fusha përgjat Drinit nxinin nga njerëzit, mbi 60 mijë vetë. Pas faljes dhe shpërndarjes së mitingut, grupi nismëtar për hapjen e xhamisë, intelektualë dhe besimtarë me kulturë islame vendosën në Xhaminë e Plumbit të krijojnë “Bashkësinë Islame Shqiptare” me qendër qytetin nismëtar të lirisë së fesë. Nga komisioni organizator prej 20 vetaësh i veprimtarisë, të gjithë nga qyteti i Shkodrës, u krijua kryesia e përkohshme prej 20 anëtarësh dhe u vendos që t’i paraqitej ministrisë së Drejtësisë për miratim njohja e Bashkësisë Islame, programi dhe statuti i saj. Deri në miratimin zyrtar që kryetar i Bashkësisë u vendos të jetë Hafiz Sabri Koçi, ndërsa sekretar Mithat Myftia. Shumë aktiv në realizimin e kontakteve dhe koordinimin e veprimtarive të kësaj lëvizjeje u tregua i riu Ferid Lluja (Dushi), nga një familje nacionaliste e persekutuar nga diktatura.

Me shumë entuziazëm, madje me doza të forta euforie u përfshimë dhe nxitëm sa mundëm lëvizjet e para për “ndryshim” – një eufemizëm, sepse Shqipërinë e priste një revolucion edhe më i thellë se ai i vendeve të Lindjes. Shqipëria kishte përpara një revolucionin kombëtar të pa përfunduar, një çështje kombëtare të pazgjidhur, gjë që e kishte mbajtur dhe e mbante peng edhe demokracinë në këtë vend, vend të cilin e kishin tkurrur e copëtuar në mënyrë të përbindshme, tek s’mbahej më, nën nivelin e viabilitetit (aftësisë për të jetuar), flakur tutje në abisalet (hone të thella) të gjeopolitikës. Por kjo është problem tjetër, është objekt studimesh të thelluara të shumë disiplinave: historike, politike, politologjike etj.

*             *             *

Primun agere

(Në fillim të veprojmë, në fillim është veprimi)

Stuhia e parë e madhe e Lëvizjes demokratike ishte mitingu madhështor në kodrat e qytetit Studenti më 8 dhjetor 1990, pikërisht në vendin që më vonë mori emërin Sheshi “Demokracia”. Ishte mitingu i parë që nuk organizohej nga Partia e Punës dhe me program kundër saj, kundër pushtetit të diktaturës komuniste. Atë ditë e përjetova me tërë qenien time, politikisht dhe emocionalisht. Më dukej se çdo pjesë e qenies ishte aq e etur për të thithur e absorbuar çdo grimcë ajri të lirisë si ajo toka e çarë nga thatësira e gjatë kur nga qielli bie në mes të korrikut një shi i butë e i bekuar. Ajo ishte më tepër se DITE. Atë ditë fatlume isha në Tiranë, bujtës në hotel “Arbana” ku zakonisht zinim vend ne hallexhinjtë e rretheve, i preokupuar shumë pas një provimi pasuniversitar. Edhe pse me datën 7 dhjetor kisha mbaruar punë, qendrova në Tiranë edhe një natë tjetër pa u kthyer në Shkodër sepse të nesërmen do të bëhej miting. Për një punë dosido në Tiranë, në atë kohë ne të rretheve duhej të humbisnim një ditë të tërë. Mendoja se ky miting e vlente të vije postafat jo nga Shkodra, por edhe në hënë sikur të ishe. Ishte simbolike.

Duke vështruar me dyshim se mos ndokush më ndjek nga pas, mëngjesin e datës 8 dhjetor dola nga hoteli dhe plot emocione mora rrugën drejt qytetit Studenti, aq i dashur për mua sepse atje kisha kaluar 4 vjet të studimeve universitare. Tani isha në mesmoshë. I rashë këmbës dhe shpejt e pashë veten në një rrjedhë të pandalshme njerëzish që merrte përpjetë kurrizin e rrugës që ngjitej. Rruga “Budi” që shpie drejt qytetit të rinisë së përjetshme iluminare, edhe kjo po aq e dashur për mua, mblodhi rrëketë njerëzore të rrugëve e rrugicave të cilat e frynë atë duke e shndërruar në rrjedhë njerëzore mbushur plot e për plot. Mijëra vetë: burra e gra, të rinj e pleq, disa edhe me fëmijë për dore, paksa të heshtur e seriozë, si në një procesion mistik të pandalshëm vazhdonin rrugën.

Dyshimi i asaj hijes së fillimit m’u largua, ndonëse isha i ndërgjegjshëm se ai sistem i diferenconte mirë punët dhe njerëzit “nën kujdes”. I shihje të bisedonin ngapak e plot vemendje, por shumëkush kishte vënë kryet përpara dhe, i përqendruar e me hap të vendosur ecte ndërsa vidhte nganjëherë sytë anash. Secili kishte hallin “e vet” në një hall të përbashkët. Rrjedha njerëzore ngjante me vërshimin plot vrull të ujrave të pranverës kur rreketë e veçuara nga të gjitha anët sulen me vërtik e shushurimë zhurmuese teposhtë për t’u bashkuar në lumenj të pandalshëm që rrjedhin drejt detit. Rrjedha njerëzore shkonte përpjetë, drejt kodrave të qytetit Studenti për t’u zbrazur në “detin” e demokracisë, në mitingun e parë të madh të saj. Nuk ishte si ato mitingjet e dikurshme në “kohën e partisë” që organizoheshin me sforcime sa herë vinte “nëntori i kuq”. Ishte tjetërsoj.

Summum jus

(e drejta më e lartë, drejtësia më e lartë)

Kur arrita tek kodrat prapa mencave të studentëve, vendi nxinte nga njerëzit. Pamje sugjestionuese, “vullkan” njerëzor do të thosha, magji e vërtetë. Në periferi të mitingut u ndjeva si në faj për vonesën, por shpejt edhe aty vendi u mbush dhe u gjenda i rrethuar gjithandej nga njerëzit. Nuk njihja ndokënd për të shkëmbyer emocionet që më vlonin. Kisha nge të bëja edhe ndonjë vëzhgim “klasor”. Shihje njerëz të veshur “spic” me kostume të modës së vjetër të nxjerra enkas nga sënduku ku, ashtu si dhe shpresat e tyre, i kishin mbajtur palë e me kujdes, të paprekura prej kushedi sa vitësh; mbase një apo dy jetë njerëzore. I kishin dhënë rëndësi çështjes dhe demonstronin pozitën e tyre të dikurshme. Sikur donin të thoshin: sa gjatë e kemi pritur këtë ditë; ky miting është yni, kjo ditë është e jona; ne jemi zotërinjtë dhe zonjat e dikurshme të këtij vendi dhe të shtypurit e këtij regjimi prandaj ky na takon neve. Mbase po “kthehej” koha e tyre. Me gjasë shpresonin restaurim. Se bota është rrumbullake. Devër dynjaja. Sa herë e kishte lëshuar shqiptari atë thirrjen: Hej Zot na sjell nji devër tjetër! Shpresë e stërzgjatur, e dyshimtë, drithëruese, sepse kishte ikur e ishte shuar shumëçka, në mos gjithçka.

Pasojat e 45 vjetëve për shqiptarët kishin qenë tejet të rënda. Plot dy breza njerëzorë nën një diktaturë unikale. A thua këtë “ditë” kishte pasur parasysh Diktatori që vazhdimisht i mëshonte me forcë idesë se partia kishte bërë revolucionin më të thellë e më të pakthyeshëm, që të mos mund të bëhej më asnjë “prapaktheu”, asnjë reabilitim apo restaurim. Gjithësesi, një miting i jashtzakonshëm. Nga gjokset ushtonin thirrjet: “Liri-demokraci”, “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatura”. Parullat m’u dukën të guximshme, radikale, të drejta. Edhe ndonjë përvojë gjykimi në këtë fushë nuk kisha.

Nuk vonoi dhe në tribunën e ngritur enkas për këtë eveniment dolën “liderët” e Lëvizjes. Gjëmuan thirrjet. U bë prezantimi. Për mua përgjithësisht nuk ishin emra të panjohur, kuptohet, nga larg. Disa lidhje të tyre me nomenklaturën, për të cilën isha i vemendshëm, për origjinën (klasore a krahinore) isha në gjendje t’i bëja aty për aty e t’u jepja deri diku një përgjigje disa pyetjeve që më mundonin. Dëgjova me shumë vemendje edhe fjalimet e tyre për të plotësuar “kuadrin”. Nga “klasat e përmbysura” nuk më zuri syri ndokënd, ndonëse as vetë nuk njihja nga afër ndonjë prej tyre. Pyeta veten: Vallë ky qenka shtabi i revolucionit demokratik që po fillon? Si dhe nga dolën kaq shpejtë këta? Ku, kur dhe kush i testoi, kush i vuri në provë? Kush ua bleu mëndjen zhanëm? A kishte konkurrues dhe kush e bëri listën e “konkursit”? Kaq shpejtë u bëkan këto punë?! Dhe,…ç’farë punësh, pa. Fut dorën në thes, merr miell dhe, bëj… “bukë tjetër”! Në mend m’u përshkua një batutë shkodrane: “fut dor?n n? qyp e nxjerr nji magjyp”.

Pas gjithë asaj diktature që kishte rënë mbi Shqipërinë për afro gjysëm shekulli, gjithë ky vullkan shoqëror nuk mund të ishte tjetër veçse një revolucion demokratik. Po cili ishte program i tij? Po fillonte dhe do të ndërmerrej një revolucion i madh, i thellë, radikal, i përkundërt me atë që kishim kaluar. E mendoja të thellë e radikal, ashtu siç kishte qenë Revolucioni proletar, komunist, bolshevik a quaje si të duash, por me kahe të kundërt. Parullat ishin të drejta, por mjaft të përgjithshme. Poshtë komunizmi, por si? Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, por si? Horizonti i ri politik mund të hapte edhe shtigje që armiqtë e Shqipërisë i llogarisnin për zhvatje të tjera sa herë që ajo do të kalonte ndonjë proces ndryshimi. Ky revolucion duhej të ishte mohim i plotë i atij të mëparshmit që po e mbyllte hesapin e vet, i cili i kishte shpënë në ekstrem dhe i kishte shterruar të gjitha mundësitë shkatërrimtare ndaj këtij kombi e kësaj toke. Apo ai i vjetri vazhdonte përsëri hesapet e tij, por tashmë me një pamje tjetër sipas variantit “dallëndyshe, ktheje ndryshe”. Mos na dalë si te ajo shprehja që përdorin në jug: “nj? hyn e nj? del, nj? Kiço nj? Vangjel”. Edhe “fjalimet” e tyre m’u dukën vetëm si parulla antikomuniste, ndonëse me klasifikimet e kaluara përbënin herezi.

Padyshim, mendoja se natyrshëm edhe mund të merrej “hua” nga njerëzit e regjimit, se shteti (jo pushteti, jo regjimi) duhet të ketë vazhdimësi, por me ndërgjegje hapja sytë të shihja tjetër gjë, që as vetë nuk e kisha të konkretizuar. Turbull mendoja se një forcë nga jashtë duhej të ishte present. Mos vallë prisja të vinin jashtëtokësorë. Mbase shpresoja në ndonjë “lider”, shtab apo “falangë” nga diaspora. Se ata mendoheshin të “pastër”, të painfektuar me komunizëm, të njëmëndtë. Si shumëkush, edhe unë kisha prirje të idealizoja këtë kategori që në të vërtetë, me ç’shikuam më pas, nuk kishin thuajse asnjë nga ato cilësitë apo zotësitë që u visheshin aq bujarisht as nga përgatitja dhe mendimi teorik, as nga fryma antikomuniste. Kohë e gjatë shumë dhe kushedi se nëpër çfarë kuluaresh kishin kaluar. Skema ime nuk funksiononte, a, mbase nuk kisha ndonjë skemë, të cilën me sa duket ia kisha lënë spontaneitetit. Isha disi konfuz. Në shumë pikëpamje isha shkollaresk, “teorik”, kisha mbetur te librat.

Nuk e vija në diskutim pjesëmarrjen në Lëvizje dhe mbështetjen e saj, por doja një pozicionim ideal, bindës, kombëtar safi; doja të mos më bjerë asfarë pluhuri “ideologjik”. Kërkoja “puritanizëm”. Fundja, mendova, gjatë procesit revolucionar Lëvizja do të bëjë seleksionime. Revolucioni Demokratik që po fillonte, të cilin e mendoja si një fazë të revolucionit nacional të papërfunduar, do të jetë një proces i tërë, i gjatë në kohë, që vjen duke u thelluar, që ka etapat e veta, ligjet dhe dialektikën e vet. Ndërkohë po sillja në mëndje doktrinat për revolucionin, për të cilin kaq shumë e kishim ropatur kokën; për karakterin dhe forcat lëvizëse, për forcat udhëheqëse etj., etj. që kisha mësuar dhe ua mësoja studentëve në lëndën e historisë.

Mendoja edhe një parim që e kisha si busull, madje e vija të parin, e kisha si kusht sine qua non: Restaurim dhe Rivendikim. Kjo ishte për mua deviza dhe kjo duhej të ishte për të gjithë shqiptarët. Pa hyrë në teoritë e së drejtës, kombëtare e ndërkombëtare, mendoja edhe atë që në popull njihet si teoria e “hakut”, “kthimi i borxhit” dhe rivendosja e së drejtës; rikthim në pozitën kur filloi “ndryshimi” për të keq, tek Shqipëria e para 7 prillit 1939; në ditën para “debacle-s” Shqiptare pas së cilës filloi tatëpjeta e pandalshme e llogaritur mirë e Shqipërisë politike, kur totalitarizmat zevendësuan njëri tjetrin me revolucion me dhunë; në fillim fashist (pushtim), e më pas komunist (“çlirim”). Mendoja (dhe mendoj) se kthimi në statusin e para 7 prillit ishte (dhe është) një e drejtë e patjetërsueshme politike, historike, morale, kombëtare e shoqërore e mohuar. I gjithë ky deformim historik ishte bërë për shkak të rendit të ri botëror i cili e kishte sakrifikuar Shqipërinë për ekuilibret e veta.

Shqipëria edhe pse aleat me fitimtarët në Luftën Antifashiste, u trajtua shumë më keq edhe se humbësit e Luftës. Edhe njëherë, ashtu si para Luftës së Parë Botërore (1912-1913), edhe pas saj (1919-1920); ashtu si para së Dytës (7 prill 1939) edhe pas saj (Jaltës-1945 dhe Parisit-1946): Shqipëria u bë kurban i paqes evropiane. Pas afro gjysëm shekulli mbase kishte ardhur koha që asaj t’i kthehej “borxhi”. Edhe unë mendoja si te ajo kënga që doli më vonë e që e këndonte Ilir Shaqirit “Kthema borxhin”. Kisha dëshirë të besoja se mbase edhe rrotullimi i globit bëhej në favor të çështjes shqiptare. Summum jus – e drejta më e lartë, drejtësia më e lartë. E vështruar nga lartësia e 20 vjetëve, më duhet të pranoj se sa larg isha, sa iluzionist, ëndërrimtar e romantik që beson aq shumë në të drejtën e në të vërtetën njerëzore. Kisha qenë në hava, në “qiellin e shtatë” të së drejtës e të shpresave “nacionaliste”.

Ndër ato që u ngjitën në tribunë, më i panjohuri për mua ishte Berisha dhe Selami. Natyra e punës me këto dy emra nuk më kishte lidhur në ndonjëfarë mënyre as nga afër, as në distancë. Vemendjen ma tërhoqi më shumë i pari, fjalimi i të cilit përveç apelacionit për demokraci, preku edhe çështjen kombëtare, për të cilën e mbaja veten shumë të ndjeshëm dhe deri diku të azhurnuar. Luftën për demokraci e lidhja në mënyrë të pakushtëzuar me çështjen kombëtare, me nacionalizmin. Kjo më ngrohu. Patronimi (mbiemri) më shpinte diku në Malësitë e Veriut; si kohë më kujtonte ato relacionet e mesjetës, larg kohëve tona të mbytura me ideologjizma, gjë që në mëndjen time e bënte “autentik”, “rrënjës”. Mbiemri më dukej si një kumt shqiptarësie që vinte nga kohët më të hershme, ndoshta që nga kohët “pagane”. Me njohjet që kisha, nuk arrija të bëja ndonjë lidhje me nomenklaturën. Mosha e tij, diku tek e imja, mbase edhe me habitate e halle, mendime dhe aspirata si të mijat. Po i mbushja mendjen vetes në përpjekje për të larguar skepticizmin. Edhe disa tregues të tjerë, sidomos profesioni, larg sektorit ideologjik dhe indoktrinimit komunist, më krijuan besueshmëri. Por edhe nga emri m’u duk i thjeshtë, jo i përzgjedhur nga emrat e rinj, i traditës – Sali Berisha. Ishte e shtunë. Qoftë e hajrit! U ktheva në Shkodër duke regjistruar në biografinë time fillimin e një ngjarjeje të madhe, fillimin e një rruge të madhe. Ishte “pagëzimi” im demokratik “zyrtar”. Ç’farë vjen më pas?

ORA E DEMOKRACISE NE ILP SHKODER

Ditët dhe ngjarjet rrokulliseshin me shpejtësi. Të hënën në mëngjes dola në punë, si zakonisht. Kishim mësim. Në katedër atmosferën e shoh të nervozuar. Kolegët si të lëshuar. Nuk po merrnin regjistrat e të niseshin për leksion si zakonisht. – Studentët kanë hyrë në grevë urie. Janë ngujuar tek auditori 1 (A-1) tha njëri, në pritje të reagimit. Bëra një “aaa!” habitore me pamje sikur po më bënte përshtypje. U bë heshtje. Paska mbërritur “epidemia” edhe në institutin tonë mendova, megjithë masat preventive dhe kordonin e fortë sanitar të vendosur. Ndonëse mbaja kontakte edhe me ndonjë nga studentët “rebelë”, për grevën nuk dija gjë. – Ka edhe nga studentët tanë, nga histori-gjeografia, shtoi me një ton “qortues” si për të treguar përgjegjësinë që na binte pse nuk kishim arritur t’i pengonim. Flamur Buçpapaj qenka prijësi i tyre, ai tropojani, tha me qesëndi. Ishte psikoza e zakonshme e prononcimit ndaj “shfaqjeve të huaja” dhe e denoncimit të tyre. Kjo më gëzoi, sepse edhe studentët tanë nuk po qendronin prapa atyre të Universitetit të Tiranës. Në momente kritike e tregojnë veten njerëzit, burrat, grupet, shtresat, klasat, kategoritë, popujt, kombet. Shkollë revolucionare, thashë me vete. Sfida e parë. Të tjerat, më pas.

– Dhe kush, pa, fundërrinat e shkollës, llumi i Institutit, ata më të dobëtit që s’përgatiten e nuk i dëgjon njëherë të diskutojnë në seminare, që kot ua kemi dhënë provimet. Pale më nga ana ideologjike, bornut, më të paformuarit, pikërisht ata futen në grevë urie, plehërat si Leze Kola, më e dobëta, Flamur Buçpapaj e shokët e tyre, tha shefi. Po nuk kanë faj ata, se jemi ne që i kalojmë e u japim shkollën. – Me sa e njoh unë, Flamuri ka një prirje për letërsi a gazetari, madje edhe shkruan, por më duket se nuk është student i dobët edhe në histori, megjithëse unë ende nuk kam filluar leksionet me kursin e tyre. – Më duket se në grevë ka hyrë edhe Gazmend Shehu, ai nga Peshkopia, që është stundent i mirë, tha kolegu tjetër, si për një të largët. – Pleh është edhe ai, në burg e ka pasur të jatin. E ç’duhen notat e tij? – Historia,… “teorizova” unë nga të vërtetat që i dinim të gjithë, na mëson se revolucionet i bëjnë turmat, por me veprën e tyre objektivisht janë ato që e çojnë përpara shoqërinë duke kryer një mision historik përparimtar pa qenë të ndërgjegjshme edhe vetë për veprën revolucionare që kryejnë. Dhe kjo është një tezë marksiste. Populli, masa është revolucionare e nuk mund të thuash se janë regresive e reaksionare.

Problemi ishte se sa do të bëhemi ne me masat apo kundër masave popullore, lija të kuptohej. Duke e cilësuar aktin e tyre si revolucionar, me këtë deklaratë teorikisht isha në linjë “marksiste”. Parimisht ishte e vështirë t’u bije ndesh këtyre tezave. Njëri nga kolegët shtoi me ton të fortë kritik e alarm të shtirur sikur të ishte bërë hataja e madhe, se me grevistët ishte bashkuar edhe një pedagog i ri i katedrës së matematikës. Ai u paska folur hapur dhe me shumë zjarr studentëve grevistë kundër pushtetit popullor dhe padrejtësive të tij saqë ata e paskan ngritur me duar përmbi kokat e tyre duke thirrur e brohoritur për të. Një Kolin Gjoka nga Lezha, pedagog i ri që sapo kishte ardhur në Institut. Personalisht asnjëri nga ne nuk e njihte.

Instituti i Lartë Pedagogjik (ILP) Shkodër atëherë përbëhej nga pesë degë: Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi, Matematikë-Fizikë, Biologji-Kimi dhe Cikli i Ulët. Kishte afat studimi 4-vjeçar dhe përgatiste mësues të destinuar kryesisht për kategorinë e shkollave 8-vjeçare. Si katedër ky veprim i studentëve na ngarkonte edhe ne me përgjegjësi të madhe për punë të pamjaftueshme edukative, për atë se nuk u kishim ndenjur afër studentëve, se kishim lejuar armikun të…se nuk ishim treguar vigjilentë, se kishim e ç’farë nuk kishim; se ishim e çfarë nuk ishim. Nuk kishte mbledhje, dhe këto ishin aq të shumta sa përbënin thelbin e vërtetë të jetës sonë “socialiste”, që të mos na thuhej se pedagogu ynë duhet të bëjë punë edukative me studentët e t’i paraprijë punës mësimore, se duhet t’u rrijë mbi kokë e t’i ndjekë ata hap pas hapi, të qajë hallet e t’ju marrë mendimet sepse armiku i klasës…obobo! Do të fillojnë nga mbledhjet dhe kush i dëgjon. – Hua!…,më doli një gufëm nga krahërori, megjithëse orët e mësimit më dhimbseshin. Jam ushqyer fort me parimin pedagogjik se ora e mësimit është e shenjtë, e paprekshme. Por diçka më e shenjtë se humbja e një ore mësimi, e disa orëve apo dhe e ditëve të tëra të mësimit po i trokiste Shqipërisë. Po trokiste ORA E MADHE E DEMOKRACISE.

Organizata e partisë e Institutit i din mirë detyrat e saj. Shpejt dhe me energji ajo mori në dorë situatën: u kthye në shtab lufte. Komunistët morën detyra të qarta e të prera: urgjentisht të nxjirren studentët nga greva e urisë. U dërguan tek A-1 komunistë, aktivistë të rinisë, të organizatës profesionale, pedagogët kujdestarë etj. U ngritën në këmbë dhe u mobilizuan të gjitha levat e pushtetit e rripat e transmisionit, por grevistët nuk luajtën nga vendi. Orët e mësimit, më shumë pa bërë se bërë, nuk u muarën vesh atë ditë. Pedagogët u ngujuan nëpër katedra dhe e shtynë me llafe deri në orën një të mesditës, në gatishmëri e gjendje alarmi, siç ishte rregulli. Disiplina proletare në fuqi. Ç’vjen më pas?

Dita e parë iku dhe asnjë shenjë paqtimi e marrëveshjeje me grevistët e urisë. Kështu kaloi edhe e dyta. Nuk dëgjova nga ndonjë pedagog ndonjë shenjë apo fjalë solidarizimi me grevistët e urisë. Vetëm sharje dhe kritika “parimore” në adresë të tyre. Shumica, të heshturit e përjetshëm. Mua nuk më mbante vendi. Zbrita poshtë të shohë së ç’bëhej andej nga greva. Si do të jetë kjo punë. Ishte hera e parë. Nga dritaret që binin mbi oborrin midis dy godinave pashë disa nga studentët grevistë që zgjasnin kokat. Nuk e dija arsyen, por, thuhej se nuk lejonin kënd që të hynte brenda në auditor. Ishte një rregull që mbase e kishin vënë vetë studentët grevistë! Kalova në kthinat e korridorit të godinës së vjetër (shkencave të natyrës), hapa derën e auditorit 1 dhe me pak droje futa vetëm gjysmën e trupit se mos prishja rregullin. Grevistët, djem dhe vajza kishin lidhur kokën me shami si ato fidainjtë, shenjë vendosmërie për mbrojtjen e kërkesave të tyre deri në flijim. Rrinin shkujdesur, si të mundnin. Përshëndeta me kokë duke hedhur vështrimin nga studentët e degës sime, kërkova me sy pedagogun por s’e dallova dot për shkak të moshës së tij të afërt me atë të studentëve.

M’u përshkua dilema “hamletiane”: të futem edhe unë në grevën e urisë? Isha i gatshëm që sakrificën ta merrja në sy. Edhe guximi politik nuk më mungonte. Por mendoja se në moshën time nuk ishte aq e hijshme e serioze të futem në grevë urie. Të gjithë ishin fare të rinj e sikur bëja kontrast me ta. Një mëndje më tha se duhet të jetë si ora e mësimit, se ata që kanë hyrë në grevë tashmë duhet të jenë regjistruar qysh më parë e të vonuarit mbase nuk pranohen. Kush e din se si janë rregullat e kësaj pune. Ishte hera e parë. Nuk kishim pare ndonjë herë grevë urie Askush nga salla nuk më tha ndonjë fjalë, për të mos thënë, “nuk ma varën”. Gjithmonë kam qenë nën pushtetin e “institucioneve”. E thënë ndryshe, mbase edhe mungesë inisiative. Edhe për kërkesat e grevës apo për ndonjë program të grevistëve nuk isha në dijeni. Paska filluar “ora e mësimit”, thashë me vete. Bëra një lëvizje të kokës në shenjë përshëndetje e miratimi dhe mbylla derën. Lërë rininë në punën e saj; le ta shtyjë apo ta tërheqë ajo qerren e revolucionit; le ta mbajë ajo lart flakën e Prometheut, mendova paksa në mënyrë poetike. Do të kishte plot raste të tjera për t’u bashkuar në veprimtarinë politike e për të dhënë kontributin tim. Revolucioni është i gjatë. Tani duhet thënë revolucioni marshon.

O, tempora! O, mores! (o kohë, o zakone)

As ditën e dytë të grevës nuk kishte ardhur kush të bisedojë për kërkesat e studentëve. Kryesisht kishin kërkesa ekonomike për jetën e tyre në konvikt, për mencën, ushqimin, kushtet e jetesës, por edhe për padrejtësitë, hatërllëqet, anësirat, etj., etj. Për kërkesat e tyre studentët kishin kërkuar të bisedonin vetëm me sekretarin e parë të partisë së rrethit. Edhe në Tiranë studentët ishin takuar me Ramiz Alinë, sekretarin e Parë të KQ të PPSH. Ditën e tretë sekretari i parë i rrethit kishte pranuar të takohet me studentët, por me kusht që ata të shkonin në zyrën e tij, në komitetin e partisë, për të “qarë hallet”, gjë që këta të fundit nuk e kishin pranuar. Me këtë akt lëvizja studentore në Shkodër hodhi dorashkën. Kjo ishte sfidë. Greva e urisë vazhdonte. Gjendja po bëhej gjithnjë e më e nderë dhe mund të shkonte drejt përkeqësimit. Gjë e pangjarë ndonjëherë, e jashtzakonshme, e frikshme për shumëkend. Partia nuk i kishte më gjërat në dorë si dikur, kur shpata e priste me një të rënë. Ishte greva e dytë studentore e urisë pas asaj të Universitetit të Tiranës. Institutit të Shkodrës i takonte ky nder. Jo vetëm për emrin që kishte Shkodra, por edhe si moshë ILP ishte më i vjetri në Shqipëri, versnik i UT – hapur më 1957. Studentët ja zbardhën faqen Institutit të Shkodrës. Trupën mësimore organizata e partisë e kishte në grusht.