Në kohën kur pritet miratimi i paketës fiskale në komisionet parlamentare e më tej në Kuvend, bizneset rikthejnë sërish vëmendjen tek ndërhyrjet që duhen bërë në tatimin mbi të ardhurat.

Në një intervistë për TV SCAN, eksperti i taksave Olindo Shehu, e konsideron të pamjaftueshme rritjen e fashës deri në 150 mijë lekë, ku aplikohet tatimi 23 për qind dhe propozon sërish rishikim.

Sipas tij, aplikimi i tatimit 23 për qind për pagat mbi 150 mijë lekë, krijon pabarazi të theksuar.

Ndërsa prezantoi paketën fiskale, qeveria rriti pragun e pagave që tatohen me 23 për qind nga 120 mijë lekë në 150 mijë, ku sipas Ministrisë së Financave, përfitues do të jenë rreth 16 mijë punonjës.