Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka shprehur shqtësimin e rritjes së shpejtë të çmimeve në energji në raportin mujor, ndërkohë që nafta dhe gazi tregtohen aktualisht në nivelet më të larta në 4 vite. “Mendojmë se energjia e shtrenjtë po rikthehet dhe përbën një kërcënim ndaj ekonomisë globale”, deklaron Organizata me seli në Paris.

Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 25% këtë vit, duke bërë që disa investitorët të spekulojnë për mundësinë e rritjes përtej 100 dollarë për fuçi deri në fund të vitit. Nga ana tjetër, Donald Trump ka fajësuar vazhdimisht OPEC për rritje ne çmimeve, që po cënojnë konsumatorët amerikanë.

Për shkak të rritjes së çmimeve, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë rishikoi në rënie kërkesën botërore në 2 vitet e ardhshme. Organizata pret tashmë që rritja e kërkesës të ngadalësohet me 110,000 fuçi në ditë, në një total prej 1.3 milionë fuçi në ditë në vitin 2018.

Ditën e fundit tregtare të kësaj jave, nafta brent e Londrës arriti në 81.3 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane, në 71.75 dollarë. Përveç Agjencisë, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës uli gjithashtu perpsketivën për kërkesën.

Raporti i Agjencisë në Paris vjen 4 javë përpara se SHBA të vendosë sanksione ndaj Iranit, që do të bllokojë tërësisht eksportet e naftës të vendit. Më herët gjatë vitit, OPEC ra dakord që të rrisë prodhimin për të stabilizuar tregjet dhe kompensuar mungesën e Iranit dhe Venezuelës, që janë eksportuesit e tretë dhe të gjashtë më të mëdhenj, në mënyrë respektive.