Aksi rrugor Balldren-Bend do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit. Kjo rrugë, që njihet ndryshe edhe si rruga e Torovicës e që prej shumë vitesh është bërë e papërdorshme, ka qenë dikur aksi rrugor nacional kryesor që lidhte qytetin e Lezhës me Shkodrën. Ndërtimi i autostradës së re për lidhjen e dy qyteteve në vitet 2000, e nxorri jashtë fokusit këtë rrugë, e cila në mungesë investimesh u amortizua terësisht duke izoluar disa fshatra të Lezhës. Për këtë qëllim, jo pak herë banorët e fshatrave kanë organizuar protesta e bllokime rrugësh,

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurat e tenderimit për këtë projekt, fondi limit i të cilit kap vlerën e 372.5 milionë lekëve. Fondi i akorduar për vitin 2018 është 74.5 milionë lekë, ndërsa pjesa e mbetur është parashikuar për vitin 2019.

Rruga me gjatësi prej 19.3 km shtrihet në qarkun e Lezhës duke kaluar nëpërmjet qendrës së banuar të Torovicës. Grafiku i punimeve përfshin një sërë ndërhyrjesh të cilat përfshijnë, punimet rrugore, ndriçimin, gjelbërimin si dhe vendosjen e sistemit të kanalizimeve për sistemimin e ujërave të bardha.

Duke qenë se rruga është e ndërtuar mbi një terren normal të rrafshët, nuk janë parashikuar ndërhyrje në planin e rrugës dhe as në profilin gjatësor të saj. Rikonstruksioni do të ndjekë kryesisht planimetrinë dhe kuotat ekzistuese, ku një ndërhyrje e domosdoshme janë cilësuar muret mbajtëse.

Ky projekt, i cili do ta bëjë këtë aks tepër të rëndësishëm për lëvizjen e mjeteve, pritet të ketë një ndikim të madh në përmirësimin e kushteve të jetesës për 5 mijë banorët e Torovicës, Malecajve, Shkëmbit të Kuq e Kolajakajve.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje është parashikuar data 15 nëntor, ndërsa grafiku i punimeve parashikon një kohështrirje prej 9 muaj.