bashaaa12315

Pak pas mbylljes së marrveshjes me Edi Ramën, në fjalën e tij në çadër, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për qytetarët që morën pjesë në protestë, dhe bëri disa premtime mbi “Republikën e re” që premton të ndërtojë pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Premtimin e parë Basha e bëri për pensionistët. Pensoni minimal do të fillojë prej 250 mijë lekësh.

“Një Shqipëri dhe një Republikë për 650 mijë pensionistët shqiptarë bashkë me të cilët do të shembim kështjellën e mykur të republikës së vjetër e përmes Republikës së Re, do t’i dorëzojmë të drejtën e tyre, paratë e republikës së vjetër që sot e kësaj dite vazhdojnë të zhduken në xhepat e oligarkëve, do të kthehen në një pension minimal prej 250 mijë lekësh në muaj për ta.”

Kryedemokrati i premtoi të punësuarve të sektorit privat paga më të larta dhe siguri më të lartë në punë. Ai shtoi se Shqipëria do të ketë taksën më të ulët në Ballkan.

“Qindra mijëra të punësuar në sektorin privat, do të njohin paga më të larta dhe siguri më të lartë në vendet e tyre të punës, me taksën më të ulët në Ballkan, taksën e sheshtë 9%.”

Për studentët, “Republika e re” do të paguajë stazhet e10 mijë studentëve.

“Shtatorin e ardhshëm, si muajin e ligjit të ri për arsimin e lartë, me tarifa të reduktuara, me mundësi për çdo student, me autonomi të plotë universitare dhe me stazhe të paguara nga republika e re për 10 mijë studentë.”

Lulzim Basha premtoi mbështetje fincanciare për të gjithë fëmijët shqiptarë.

“Do të mbështesim financiarisht çdo fëmijë shqiptarë me një shumë prej 30 mijë lekësh në muaj.”

Fëmijët do të kenë drekë të shtruar në shkollat 9-vjeçare dhe gjimanzet.

“Një sistem arsimor modern do të shtrihet anembanë vendit për ti garantuar çdo prindi shqiptar kujdesin maksimal, përfshi drekën në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Shqipërisë.”

Lideri i opozitës preku dhe çështjen e ndjeshme të ish të përndjekurve dhe pronarëve, duke premtuar kompensim të plotë me vlerë tregu dhe dëmshpërblim financiar dhe moral.

“Të përndjekur dhe pronarë, Republika e Re do t’i japë fund padrejtësisë që kurrë nuk mori fund për ju me kompensimin e plotë më vlerën e tregut, me dëmshpërblimin financiar dhe moral tuajin, krenaria e historisë tonë të dhimbshme, balli i protestës dhe qëndesës tonë.”, – deklaroi Lulzim Basha nga çadra e protestës, e cila po kalon orët e fundit të saj në bulevard.