Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për familjarët dhe miqtë e majorit Klodian Tanushi, i cili humbi jetën si pasojë e marrjes së plagëve të rënda pas shpërthimit të një mine gjatë zbatimit të misionit të NATO-s, “Enhanced Forward Presence”, në Letoni. “Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për familjen dhe miqtë e Majorit Klodian Tanushi, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni. Iu bashkohemi qytetarëve shqiptarë në nderimin e sakrificës së tij dhe në vajtimin për humbjen e tij.”- shkruhet në mesazhin e ambasadës të publikuar në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

Nga incidenti i shënuar më datë 6 maj në kampin “Adazi” në Letoni, ra në krye të detyrës edhe nëntetarja Zarife Hasanaj, ndërsa mbeti i plagosur rreshteri Julian Kapaj. Trupi i majorit pritet të mbërrijë ditën e nesërme në Shqipëri nga Letonia, ku do të mbahet një ceremoni lamtumire me pjesëmarrjen e efektivëve të 10 vendeve që janë pjesë e misionit të NATO-s.