Pas tre vitesh në top listë, “Sami Frashëri” zbret nga piedestali si gjimnazi më i mirë publik në Tiranë. Vendin e tij për 2017-2018 e zë “Qemal Stafa”, e renditur gjithnjë si ndër më të mirat, por që asnjëherë nuk kishte njohur kryesimin. Në dokumentin e siguruar nga gazeta, rezulton se ashtu si edhe vitin e kaluar “Ismail Qemali” e “Petro Nini Luarasi” kanë mbetur në vendnumëro, duke u renditur përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt, ndjekur nga të mesmet, “Partizani” dhe “Sinan Tafaj”, të cilët, ndryshe nga dy të lartpërmendurit, kanë njohur rritje performance, duke u ngjitur me dy vende nga viti i kaluar. Në fund të gjimnazeve më të mirë të Tiranës qëndrojnë shkollat “Abdullah Keta” dhe “Sandër Prosi”, thuajse në të njëjtin nivel si më parë.

TREGUESIT
Kalueshmëria dhe nota mesatare e shkollës, arritur në provimet e Maturës Shtetërore, niveli i realizimeve të parashikuara në planin vjetor si dhe numri i nxënësve që kanë fituar olimpiada në rang kombëtar janë treguesit kryesorë mbi bazën e të cilëve është matur performanca e gjimnazeve të vendit për të renditur trembëdhjetë më të mirat, sipas tabelës përbri shkrimit. Ndërsa të parat janë lehtësisht të lexueshme dhe verifikueshme për shkak se janë marrë nga të dhëna kombëtare, dy treguesit e tjerë duket se bëjnë diferencën në përzgjedhjen e pesëshes së parë në listë, e cila është e ngushtë. Realizimi i planit vjetor të shkollës e ka penalizuar me një pikë “Sami Frashërin”, ndërkohë që shkollat e tjera janë vlerësuar maksimalisht. Por duhet theksuar se nxënësit e kësaj të fundit janë ata që kanë fituar shumicën e olimpiadave. Janë plot 53 nxënës të “Samiut”, po aq sa të të gjithë shkollave bashkë, që janë shpallur fitues në garat e zhvilluara në rang kombëtar përgjatë vitit 2017- 2018. Por çfarë e ka penalizuar “Sami Frashërin” në renditjen me pesë pikë më pak se “Qemal Stafa”?! Ndonëse në nivel të kënaqshëm, nxënësit e saj në provimet e Maturës Shtetërore nuk kanë shkëlqyer më shumë se në olimpiada.

Ndryshe nga vitet e shkuara, duhet thënë se ka një ndryshim të matësve të performancës së shkollave. Përqindja e kalueshmërisë dhe notës mesatare në të gjitha provimet vjet ishin të përmbledhur në dy kolona të vetme, nga dhjetë të tilla këtë vit. Lista e treguesve ndiqej edhe nga një tregues shumë më rëndësi: diferenca mes vlerësimit në provimet e Maturës dhe vlerësimit të mësuesve. E po ashtu edhe përqindja e orëve të munguara si dhe e nxënësve të larguar nga shkolla pasi janë regjistruar.

Drejtoria Arsimore vendore harton çdo vit performancën e të gjitha shkollave, nëpërmjet të dhënave që nisin vetë drejtuesit në çdo fillimviti shkollor. Këtij procesi i nënshtrohen jo vetëm gjimnazet publike, por edhe ato private. Po ashtu, në rankim kalojnë edhe shkollat 9-vjeçare si në publik apo privat.
Përse shërben karta e performancës?

Karta e Performancës është një mekanizëm i përvitshëm, që mat cilësinë e mësimdhënies, reflektuar në arritjet e shkollës në provime kombëtare e olimpiada. Përpos kësaj, prej vitesh përdoret si një mjet orientimi për prindërit me qëllim për t’i regjistruar fëmijët e tyre te gjimnazet me performancë më të lartë përgjatë një viti. Dokumenti në fjalë u shërben gjithashtu dhe drejtuesve, mbi bazën e të cilit hartojnë planin e vitit pasardhës, pas një analize ku evidentojnë pikat e dobëta dhe të forta të shkollës. Performanca e këtij të fundit vlerësohet një herë në dy vjet nga titullarët e njësive arsimore vendore, ndërsa ajo e mësuesve presupozohet të bëhet çdo vit nga drejtori.