rama meta_3
Lëvizja Socialiste për Integrim po e luan fort kartën e numrave në parlament për një prej reformave më të rëndësishme, atë të drejtësisë. Ajo po kërcënon hapur ta bllokojë atë duke vënë si kusht marrjen në konsideratë të propozimeve të opozitës.

Larg solidaritetit me opozitën, halli duket gjetkë. Edhe pse po hedh në treg kartën e moralit dhe të gjithëpërfshirjes, në të vërtetë LSI synon diçka tjetër. Ajo kërkon të ketë ndikimin e saj në këtë reformë dhe të mos e lërë atë në duart e Edi Ramës.

Sa për gjithëpërfshirjen apo shqetësimin e miratimit të saj pa opozitën, mjafton të kujtojmë që vetë LSI deklaronte dikur se, një tjetër reformë e rëndësishme, si ndarja administrative, nuk mund të mbetej peng i tekave të PD –së.

Nën presionin e ndërkombëtareve kryeministri Rama hoqi dorë nga bërja e reformës nga qeveria dhe e la atë në duart e komisionit të posaçëm parlamentar. Në LSI thuhet se Rama e shfrytëzoi këtë situatë për të anashkaluar Ilir Metën. LSI kërkon që reforma të shkojë në kuvend si propozim i Ministrisë së Drejtësisë që udhëhiqet prej saj. Në këtë mënyrë ajo mund të ketë ndikim më të drejpërdrejtë. PS këmbëngul se reforma duhet të jetë propozim i komisionit të posaçëm ku bën pjesë edhe opozita, po ku LSI nuk shihet të ketë ndonjë ndikim specific.

Mbi bazën e këtyre divergjencave duket se është zhvilluar edhe takimi i një dite më parë mes Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe kryetarit të komisionit të reformës, Fatmir Xhafa, në një nga lokalet e kryeqytetit.
Në fillim të gushtit, kur Rama po e amplifikonte qëllimin e tij për ta mbyllur reformën brenda vjeshtës, LSI bëri lëvizjen e parë publike për t’i treguar se nuk do të rrinte të bënte sehir dhe të shihte si fuqizohej kryeministri me ndryshimet që pritet t’i bëhen Kushetutës, rolit të Presidentit dhe zgjedhjes apo shkarkimit të Prokurorit të Përgjitshëm.

Pa opozitën s’ka reformë, ishte mesazhi i shkurtër dhënë nga Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Sparak Braho. “Konsensusi duhet të arrihet me çdo çmim” thotë LSI përmes njeriut që e përdor sa herë i duhet të rrisë nivelin e presionit, ndaj të vetëve apo kundështarëve. “Reforma nuk mund të sakrifikohet për hir të konsensusit me PD”, ishte përgjigja e PS me anë të Fatmir Xhafës.

Duke lexuar pa vështirësi këto shenja që parlajmërojnë një përplasje të fortë PS – LSI, Partia Demokratike po e shfrytëzon situatën për të rritur ndikimin e saj. “Nëse propozimet e PD nuk merren në konsideratë, ajo nuk do të jetë aktive dhe as fasadë e reformës në drejtësi”, u shpreh Eduard Halimi javën që shkoi.

Por më shumë se kapje e momentit, PD duket se po i vjen edhe një herë në ndihmë Ilir Metës, që e sheh veten në vështirësi. Burime të rezervuara konfirmuan për Lapsi.al se Meta ka nisur një përpjekje për të vendosur kontaktet me PD.

I gjendur si në kurth, në një moment kur Rama i ka shkëputur marrëdhëniet me të për shkak të përplasjeve për zgjedhjet e 21 qershorit, Meta i trembet pushtetit që do të ketë kryeministri pas miratimit të reformës në drejtësi.

A po e kërkon sërish varkën e shpëtimit tek PD si në kohën kur u përball me drejtësinë për video-përgjimin e Dritan Priftit dhe mburojë pati Sali Berishën?

Në Partinë Demokratike është folur jo pak këto kohë për një koalicion të mundshëm mes PD dhe LSI “për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti”. Edhe pse Lulzim Bashës i është dashur të ndërhyjë disa herë për të sqaruar nuk do të bëjë kompromis për hir të karriges, njerëzit e tij në PD besojnë se një koalicion i tillë nuk është i pamundur.

Një pjesë e kupolës drejtuese të opozitës, ajo që mund të quhet si “garda e vjetër”, kategorike kundër bashkëpunimit me LSI, hodhi pa vonesë një tjetër version; atë të një koalicioni PD – PS për të “hequr qafe” një herë e mirë Ilir Metën nga të qënit faktori politik që vendos për mazhorancat. Presioni ndërkombëtar është i fortë edhe tek opozita, të cilës i kërkohet të mos e shfrytëzojë këtë situatë për interesa politike dhe të jetë bashkëpunuese për reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin.

Ilir Meta, që ka provuar se i lexon më së miri situatat politike, duket se nuk e ka lënë në kuadrin e thashetheveme bashkëpunimin e mundshëm me PD-në. Reforma në drejtësi mund të përdoret si çështje për t’i bashkuar dy aleatët e vjetër qeverisës. Më shumë se në vitin 2009, Ilir Meta e sheh PD –në si barkën që do ta shpëtojë nga vorbulla që po i hap Edi Rama me reformën në drejtësi. Jo më kot ai i përdor kushtet e PD si pretekst politik për të mos e votuar reformën.

Në qeverinë Rama, Meta ka më shumë pushtet sesa kishte me PD –në. Por me Ramën, që sheh t’i shtohet gjithnjë e më shumë presioni i ndërkombëtareve për të vënë para drejtësisë politikanët e korruptuar, Ilir Meta ndjen gjithjë e më shumë pasiguri.

“Tradhëtinë” e parë të Ramës ai e ndjeu në zgjedhjet e 21 qershorit. Në LSI besojnë se kandidatët e saj në disa bastione të së majtës humbën pasi nuk u mbështetën nga PS.

Kjo ndjesi ia shton dozën e pasigurisë Ilir Metës. Tensioni që po përjeton po shfaqet sa me zhurmë, (me disa kritika të drejpërdrejta të LSI kundër disa nismave të qeverisë, e fundit ndaj aksionit kundër evazionit fiskal) aq edhe në heshtje, me tentativat për të rivendosur lidhjet me PD –në, më shumë për ta izoluar Ramën dhe për ta detyruar të pranojë kushtet për reformën në drejtësi, që i japin siguri Ilir Metës, sesa për ta rrëzuar atë nga pushteti.